Deputeti i LDK-së: Nuk na duhet lufta ndërkosovare për merita

16 Janar 2017 - 22:03      

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, ka thënë Kosovës nuk i duhet lufta ndërmjet krerëve shtetërorë se kush i ka meritat për dhënien e urdhrit për ndalimin e trenit ilegal të Serbisë në Kosovë.

“Javën që e lamë pas, e përmbyllëm me provokimin e radhës nga Serbia e cila me vetë dëshirë apo e shtyrë nga aleati tradicional i saj Rusia, kësaj radhe ‘invazionin’ kishte vendosur ta realizonte me ‘vozin rus’ të cilin e kishin ‘armatosur’ me mbishkrime ofenduese e provokuese ndaj Kosovës dhe qytetareve të saj. Fatmirësisht institucionet tona edhe pse me vonesë megjithatë reaguan duke zbatuar detyrat dhe obligimet që kanë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e kuptuan se pozita ka edhe përgjegjësi që kërkojnë veprime praktike jo vetëm deklarative”, ka shkruar Bulliqi.

Ai ka thënë se për aq sa është vërejtur në këtë aksion që u realizua me sukses nga organet e sigurisë e përkrahën të gjithë.
“Pra kishte koncensus nacional, sepse njerëzve ju ka ardhur në maje të hundës tolerimi dhe koncesionet e bëra ndaj Serbisë”.

“Ajo çka pamë pas vendosmërisë për të mos lejuar trenin ilegal, ishte ‘lufta’ ndërkosovare për meritokraci, jo dhashë urdhër unë jo dha ai, këto gjëra nuk na duhen sepse urdhrin dhe masat duhet ti ndërmarrin ata që e kanë obligim/përgjegjësi sipas postit që bartin, të gjithë në Kosovë duhet ta kuptojnë se nuk janë postet e larta institucionale vetëm për ti shfrytëzuar beneficionet (paga, makina, shoferi, udhëtimet jashtë vendi, mëditjet, hotelet etj), por për t’i kryer detyrat që e përcjellin atë post”, ka thënë më tej ai, përcjell Koha.net.

Një gjë është më se e sigurt, sipas Bulliqit. “Nëse është kjo ajo Serbia që e njohim, nëse janë udhëheqës të saj ata Gebelsat e Millosheviqit dhe Sheshelit (Vuçiq, Daçiq dhe Nikoliq), nëse janë po të njëjtit që nuk janë ndëshkuar për krimet gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, ata do të vazhdojnë të provokojnë, nxisin e shkaktojnë edhe probleme më të mëdha kudo që munden dhe guxojnë, e thashë ku guxojnë sepse me Kroacinë nuk është se po e ngritin zërin fort kur po kanë ndonjë kontest”.

Bulliqi ka thënë se reagimet e bashkësisë ndërkombëtare gjer më tani ishin të zbehta.
“Bile u çudita më guximin e Nikoliqit për të kërcënuar me invazion ndaj Kosovës, kur dihet mirë se në Kosovë ka prezencë NATO-n dhe pos trupave të sigurisë ndërkombëtare dhe organeve vendore të sigurisë askush tjetër nuk ka mandat të shkele në Kosovë”, ka thënë Bulliqi, përcjell Koha.net. “Duke parë rrjedhat ndërkombëtare diçka është duke u zier sepse Serbia prapë ka ‘ngritur kokë’ thonë populli, neve na mbetet që të gjithë të jemi vigjilentë mos të ekzaltohemi me një veprim që shkoi mirë”.

Deputeti ka thënë se “për çështjen e murit nuk ka nevojë që të japim ultimatume, ditë e data kur do të largohet”.
“Thjeshtë le ta largojnë ata që kanë kompetencat për atë punë dhe e kanë përgjegjësi në bashkëpunim me ndërkombëtarët të cilët e kanë detyruar Kosovën të bëjë koncesione bukur të mëdha”, ka përfunduar Bulliqi.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...