Ushtria e Kosovës, kërkohen mundësi që të krijohet sivjet

16 Janar 2017 - 15:26      

Përfaqësuesit politik në Kosovë dhe njohësit e rrethanave të sigurisë, thanë të hënën se zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe në rajon tregojnë se Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj.

Deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se mungesa e ushtrisë së Kosovës, është evidente jo vetëm në rastin e ‘trenit’.

“Ne duhet të veprojmë, sepse zhvillimet në rajon po e kërkojnë ose është bërë urgjencë themelimi i forcave të rregullta ose ushtrisë”, tha Haradinaj.

Edhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se institucionet janë duke punuar që në një të ardhme të afërt të merret një vendim i drejtë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Ne e dimë se një shtet pa ushtri nuk mund të quhet shtet i kompletuar. Ne do të jemi në krye të detyrës në çdo moment pa dallime partiake. Thjesht do të jemi bashkë pozitë dhe opozitë në çështje të ndjeshme siç është Forca e Armatosur e Kosovës”, tha Musliu.

Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë mendojnë se , duhet të gjenden mundësi që Kosova brenda vitit ta ketë ushtrinë e saj.

Ramadan Qehaja, thotë se nuk duhet të ketë vonesa të tjera meqë, siç tha, mungesa e ushtrisë së Kosovës është e dukshme.

“Mungesa është e dukshme, nuk e kemi ushtrinë si të tillë me Forcën e Armatosur të Kosovës. Domosdo duhet bërë ndryshime, nëse jo ato esenciale, që kanë të bëjnë me ndryshimet Kushtetuese, por me ndryshimet e ligjeve. Unë ashtu mendoj me planin 'B' fuqizohen ligjet që kanë të bëjnë më FSK-në, e cila si e tillë do të mbetet me emrin, por do të bëhej një avancim i detyrave ushtarake”, tha Qehaja.

Për me tepër, përfaqësuesit politik dhe analistët në Kosovë, thonë se tendenca e Rusisë përmes Serbisë që të ketë ndikim në Kosovë, duhet t'i përshpejtojë procedurat për formimin e ushtrisë, tha deputeti Haradinaj.

“Tendencat nuk janë të sotme ato janë edhe të më hershme edhe sidomos me këtë rastin e trenit rus siç po quhet. Por, populli i Kosovës është pro perëndimor dhe si i tillë ka një aleancë të shkëlqyeshme me Shtete e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian”, tha Haradinaj.

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është paraparë që prej më shumë se dy vjetësh, por ajo nuk mund të krijohet pa ndryshimet Kushtetuese që kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të bashkësive pakicë. Deputetët serbë ndërkaq kanë më shumë se katër muaj që po i bojkotojnë institucionet e vendit.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve Kushtetuese.

Forcat e Armatosura, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...