16 Janar 2017 - 13:39
Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri Agim Krasniqi, zëvendësministri Isni Kilaj dhe sekretari i përgjithshëm Naim Baftiu, para mediave sot ka bërë prezantimin e përmbylljes së vitit 2016 dhe objektivat për vitin 2017 të Ministrisë së Financave.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se viti 2016 është përmbyllur me sukses të jashtëzakonshëm, ku sipas tij të hyrat janë rritur me 9.5% në krahasim me vitin 2016.
“Të hyrat janë rritur me 9.5% krahasuar me 2015. Të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja janë rritur me 12% dhe kanë arritur në 1,438 mil euro, që është 154 mil euro më shumë se më 2015. Të hyrat nga Dogana janë rritur me 10.5% (100 mil më shumë). Të hyrat nga ATK-ja janë rritur me 16.1% (54 mil më shumë). Të hyrat vetanake kanë qenë për 3.6% më të ulëta se në vitin paraprak, në veçanti tek komunat. Të hyrat tjera jo-tatimore kanë qenë: taksa koncesioneve nga Aeroporti një rritje prej 17.6%, tantiema nga shfrytëzimi i resurseve natyrore një rritje për 2.8%, dividenta nga PTK nuk është inkasuar asgjë”, shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, sa i përket shpenzimeve ai bëri të ditur se “Shpenzimet kanë shënuar rritje prej 6.9% krahasuar me vitin paraprak dhe kanë arritur në 1,682 mil euro, apo 108 mil euro më shumë se vitin paraprak. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e subvencioneve dhe transfereve dhe shpenzimeve kapitale. Shpenzimet janë ekzekutuar me normë prej 96.4% krahasuar me shpenzimet e planifikuara.
“Struktura e shpenzimeve është Pagat dhe mëditjet janë rritur me 2.8% për shkak të kontratës kolektive, Mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale janë ulur për 2.9% që është rreth 6 mil euro, për shkak të disiplinës fiskale, Subvencione dhe transfere janë rritur me 13.4% për shkak të rritjes së pensioneve kontribut-dhënëse dhe pagesat për veteranët e luftës, si dhe Shpenzimet kapitale janë rritur me 9.8%”, shtoi i pari i Ministrisë së Financave.
Sipas, ministrit Avdullah Hoti viti 2016 është mbyllur me 270 milionë euro bilanc bankar, që është për 10 milionë euro më shumë se vitin paraprak.
“ Ky bilanc është arritur pa kufizuar asnjë shpenzim që ka arritur për pagesë nga të gjitha organizatat buxhetore qendrore dhe lokale dhe pa pranuar fondet nga FMN-ja në shumë prej 116 mil euro (për shkak të vonesave në aprovimin e ligjit për veteranët e luftës) dhe nga dividenta nga PTK prej 15 mil euro. Deficit buxhetor nën rregullën fiskale prej 2% të Bruto Prodhimit Vendor siç kërkohet me Ligjin për Financat Publike”, bëri të ditur Ministri Hoti.
Ndërsa, sa i përket Objektivave për vitin 2017, ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Financave për vitin 2017 janë Pakoja fiskale 2.0 , Krijimi i Agjencisë së Tatimeve dhe Doganës së Kosovës, Implementimi i programit Stand-By me FMN, Disiplina fiskale, si dhe objektivat e tjera specifike që përfshijnë sektorët më të rëndësishëm të Ministrisë së Financave siç janë Dogana, ATK, Njësia për Inteligjencë Financiare të Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik, si dhe reforma të tjera.
OBJEKTIVAT E MINISTRISË SË FINANCAVE PËR 2017
1.1.Pakoja fiskale 2.0
Kemi hartuar politikat e reja fiskale për përmirësimin e ambientit për biznes:
- Zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor;
- Heqja e normës së akcizës në mazut për qëllime prodhimi;
- Ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës 0 për qind apo normës së reduktuar 8 për qind të TVSH-së;
- Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore;
- Nxjerrja e akteve ligjore për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit, i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës;
- Nxjerrja e akteve ligjore për kushtet për njohjen e humbjeve nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj;
- Krijimi i kodeve doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.
1.2.Krijimi i Agjencisë së Tatimeve dhe Doganës së Kosovës
Deri më tani është draftuar dhe proceduar për në Qeveri Ligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës së Kosovës dhe është hartuar plani detal për themelimin e Agjencisë. Ky proces është përkrahur me ekspertizë nga FMN, GIZ, Komisioni Evropian dhe Ambasada Britanike.
1.3.Implementimi i programit Stand-By me FMN
Në vitin 2017, do të vazhdojmë me implementimin me sukses të këtij Programi, duke përfshirë:
- Koordinimin e të gjitha reformave me institucionet përgjegjëse;
- Mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve rrjedhëse;
- Respektimi i deficitit/rregullës fiskale;
- Mbajtja e bilancit bankar në nivel adekuat;
- Implementimi i projekteve nën Klauzolën e Investimeve;
- Zgjerimi i listës për prokurim të centralizuar.
1.4.Disiplina fiskale
Forcimi i mëtejshëm i disiplinës fiskale:
- Përmirësimi i sistemit elektronik për mbledhjen e të hyrave;
- Ngritja e transparencës në shpenzime;
- Avancimi i kontrollit të brendshëm të financave publike;
- Aplikimi i planifikimit dhe mbikëqyrjes së buxhetit në nivel pesë shifror.
1.5.Objektivat e tjera specifike
- Dogana
o Mbledhja e të hyrave prej 1,108 mil euro;
o Avancimi i Doganës konform standardeve evropiane;
o Luftimi i informalitetit;
o Ofrimi i statusit të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar, që mundëson përfundimin e procedurave të zhdoganimit pas kalimit kufitar të mallit;
o Krijimi i një dritareje të vetme kufitare me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit (AVUK), Policinë e Kosovës dhe AKPPM-në që mundëson përfshirjen e këtyre institucioneve në ASYCUDA dhe shkurtimin e mëtutjeshëm të kohës së nevojshme për tregtim;
o Krijimi i Portalit Tregtar për të ngritur transparencën dhe monitorimin e kohës dhe kostos për pajtueshmëri dokumentare dhe kufitare nga sektori privat.
- ATK
o Mbledhja e të hyrave prej 410 mil euro;
o Digjitalizimi i plotë i shërbimeve administrative tatimore, ku shumë shpejt pritet të fillojë lëshimi i certifikatave tatimore online për bizneset;
o Avancimi i procesit të rimbursimit të TVSH-së bazuar në analizë risku, duke targetuar periudhë maksimale kthimi prej një muaj;
o Riorganizimi i procesit të kontrollit 100% bazuar në risk për të minimizuar koston kohore nga kontrolli tatimor.
- Njësia për Inteligjencë Financiare të Kosovës
o parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit;
o Bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare simotra.
- Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik
o Zgjerimi i listët së prokurimeve të centralizuara;
o Monitorimi i kontratave të prokurimit të centralizuar.
1.6.Reforma të tjera
o Menaxhimi efikas i marrëveshjeve të huave dhe koordinimi i asistencës së jashtme;
o Rritja e numrit të auditorëve të brendshëm të licencuar,
o Mbështetja e të gjitha institucioneve për zbatimin e projekteve përmes partneritetit publik-privat;
o Transparenca e plotë në shpenzime buxhetore;
o Reforma e tatimin në pronë;
o Avancimi i sistemit të Teknologjisë Informatike në Ministrinë e Financave dhe agjencitë vartëse të saj.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...