15 Janar 2017 - 19:17
Pa kaluar 24 orë nga zhvillimet e së shtunës, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka mbledhur gjatë së dielës Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Beograd.
Pas kësaj mbledhjeje, Nikoliq doli me kërcënimin se ai është i gatshëm të dërgojë edhe ushtrinë në Kosovë në rast se rrezikohet jeta e serbëve atje.
“Çka është ajo që Bashkësisë Ndërkombëtare dhe shqiptarëve në Prishtinë u ka penguar një tren, ndoshta pasi në të shkruan “Kosova është Serbi” . Por atëherë nuk do të duhej që asnjë shqiptar ta lejomë të hyjë në territorin e Serbisë. Ne kemi tentuar mbrëmë që të bisedojmë me autoritetet ndërkombëtare se çka po përgatitet atje. Bashkësia Ndërkombëtare nuk ka qenë në gjendje të japë përgjigje, e as NATO. Derisa të jem në këtë funksion, do të përpiqem që të mos luftoj me askënd. Nëse kjo do të jetë e pamundur, do të përpiqem si komandant suprem, ta marr përgjegjësinë për vendimet e mia. Po qe se i vrasin serbët, të gjithë do të shkojmë atje, e jo vetëm ushtria. Ja, edhe unë do të shkoj i pari, nuk do të ishte kjo hera e parë”, ka thënë Vuçiq.
Mirëpo, këtyre deklarimeve të Nikoliqit u është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se serbët e Kosovës nuk janë dhe nuk do të jenë të rrezikuar, dhe se nuk kanë nevojë për mbrojtje nga Beogradi.
Ndërsa në veri qindra serbë iu bashkuan thirrjes për protestë e cila kundërshtonte aksionin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të së shtunës në veri.
Të mbledhur në sheshin “Car Llazar”, serbët dëgjuan fjalime nacionaliste në mbrojtje të atdheut të tyre, siç e quajnë ata të Serbisë.
Si gjithnjë, pjesëtarët e Listës Serbe edhe kësaj here u dërguan mesazhe kërcënuese institucioneve të Kosovës.
“Këto ditë, disa njerëz preferojnë të luajnë lojëra lufte me shqiptarët në Kosovë, disa kanë harruar atë që nuk është dashur të harrojnë e që serbët kurrë nuk janë frikësuar. Nëse heshtim, s’do të thotë që frikësohemi dhe sot këtu jemi bashkë si gjithmonë. Dhe ashtu do të jemi. Dhe le të mendojnë para se të bëjmë diçka, sepse ne s’e duam të keqen. Le të na vijnë mysafirë me armë dhe të mos harrojnë mençurinë e popullit, sepse ne nuk kemi harruar si të mbrojmë atë që trashëguam nga të parët. Erdha këtu, i zhgënjyer, meqë e di se pas këtyre festave e lumturisë, në disa shtëpi është futur frika”, ka thënë Branimir Stojanoviq, Zëvendëskryeministër i Kosovës.
Kurse, ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq kërkoi që të ndalen sulmet ndaj serbëve të Kosovës.
“Jemi këtu të dërgojmë mesazh të qartë se dëshirojmë paqe dhe liri në të gjitha aspektet . I porosisim të ndalen së sulmuari dhe të ndalen së heshturi ndaj sulmeve që na bëhen. Do të vazhdojmë të mbrohemi në mënyrë paqësore pa gaz lotsjellës, jo në mënyrat që të tjerët i bëjnë”, ka thënë ai.
Pjesëmarrës në këtë protestë ishin edhe zyrtarë nga Qeveria e Serbisë. Petar Petroviq, nga Zyra për Kosovë, u tha të pranishmëve se Serbia si kurrë më parë do të mbrojë të drejtat e tyre.
“Çfarë mesazhi është ky që e dërgon Prishtina, ku ndaj udhëtarëve dhe trenit, dërgohet ROSU, ku vendosen bombat në shina dhe rrugët ku kalojnë serbët. Mbrëmë me vendimin e kryeministrit Vuçiq, ai tren është ndalur në Rashkë dhe duke iu falënderuar kësaj, ne sot nuk kemi një konflikt”, ka deklaruar Petroviq.
Në këtë protestë e cila përfundoi pas gati 40 minuta fjalimesh, ku liderët serbë gjatë gjithë kohës Kosovës iu referuan si Serbi, pati shumë flamuj jo vetëm të Serbisë, por edhe të kombinatit Trepça të cilën Beogradi po vazhdon ta konsiderojë si pronë të saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...