Reagimet gjatë ditës për çështjen e trenit serb [video]

14 Janar 2017 - 20:44      

Treni që u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës, është parë si ilegal në Kosovë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se ky tren me afishe nacionaliste që është nisur për në Kosovë nga Beogradi, duhet ndaluar, raporton KTV.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi. Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet”, ka thënë presidenti në reagimin e tij.

Ilegal këtë tren e ka quajtur edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka thënë se ka kërkuar nga BE-ja që ta ndalë futjen e tij në Kosovë.

“Unë kam kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saj ndaj Kosovës, përfshirë provokimin nga ky tren me simbolika ultra-nacionaliste, në emër të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe parimeve të dialogut për fqinjësi të mirë”, ka thënë Tahiri.

Derisa kryeministri i vendit, Isa Mustafa, nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.

Të ashpër në reagimet e tyre kanë qenë partitë opozitare dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kurse deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se ardhja e trenit është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e shtetit.

“Sot kur kujtohet masakra e Reçakut, e cila ngjalli ndërgjegjen e fjetur te perëndimi dhe me të drejtë u trajtua si krim kundër njerëzimit, po në këtë ditë Kosova zgjohet me një ndërhyrje të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

E deputeti i pavarur, Ilir Deda, ka thënë se treni Beograd-Mitrovicë nuk ndalet me letër proteste dërguar BE-së.

“As muri nuk hiqet ashtu. As fletarrestet e riaktivizuara nuk hiqen kështu. Thaçi hesht, Mustafa po ashtu. Me këtë qasje, Qeveria sillet thuajse sovraniteti në veri është i BE-së, e jo i Kosovës. Qeveria me këto letra proteste, sillet thuajse jetojmë në vitet e 90-a të shekullit të kaluar”, ka thënë Deda.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se muri, treni, fletarrestet ndaj qytetarëve të Kosovës janë vetëm disa nga arsyet pse Kryeministri i Kosovës në mënyrë urgjente duhet të ndërmarrë vendimin për pezullimin e dialogut.

Ndërsa Lëvizja për Bashkim ka kërkuar platformë kombëtare për bisedime. 


Reagimet gjatë ditës për çështjen e trenit serb by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...