Foto: Koha / arkiv

Mustafa: Iu përgjigjëm me ligj situatës së panevojshme të krijuar nga Serbia

14 Janar 2017 - 19:45      

Kryeministri Isa Mustafa, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ka folur në lidhje me vendimin e Qeverisë për të mos lejuar hyrjen e trenit serb në territorin e Kosovës.

“Jemi përballur me një situatë krejtësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia. Qeveria dhe të gjitha dikasteret e saj janë angazhuar që të ndërmarrin të gjitha veprimet në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit”.

“Duhet të theksoj se së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veselin dhe presidentin Hashim thaçin pas kthimit në vend, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë, kemi mobilizuar të gjitha institucionet shtetërore, dhe janë ndërmarr të gjitha masat adekuate në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën”, ka thënë Mustafa.

Ky veprim, sipas Mustafës, është në vazhdën e “synimeve të mbrapshta të Serbisë për ta destabilizuar gjendjen në Kosovë”.

Kryeministri tha se “dje në Këshillin për Siguri kemi marrë vendim që të veprojmë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën” në raport me situatën e krijuar së fundmi.

“Hyrja e tij në Republikën e pavarur nuk do të lejohet, ose nëse rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, theksoi Mustafa, raporton Koha.net.

Ai ka falënderuar edhe SHBA-të e BE-në për ndihmën e tyre në zgjidhjen e problemeve. 

Ky është fjalimi i plotë i Mustafës në konferencën e jashtëzakonshme për media:

Të nderuar qytetarë,

Fillimisht më lejoni që të theksoj shqetësimin që kemi pasur dhe kemi përjetuar sot të gjithë duke u përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme.

Andaj bashkëndjej me ju këtë shqetësim real dhe ju falënderoj shumë për përkrahjen e jashtëzakonshme që të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e kanë dhënë për përballimin e saj.

Më lejoni të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjitha dikasteret e saj, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet tjera përgjegjëse janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve, jo vetëm sot, që në mënyrë intensive të adresojnë të gjitha aspektet ligjore, procedurale, teknike dhe operative për të trajtuar në mënyrë institucionale, me maturi dhe vendosmëri këtë çështje.

Dua të theksoj se së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe në konsultime me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Thaçi pas kthimit të tij në vend, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë, kemi mobilizuar të gjitha institucionet shtetërore për t’u përballur me situatën dhe po ashtu janë ndërmarrë masat adekuate që na takojnë në përputhje me ligjet, në përputhje me Kushtetutën që të adresohet ky problem.

Gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar takime me institucionet kompetente shtetërore, me përfaqësues të misioneve diplomatike dhe misioneve tjera në Kosovë, në mënyrë që të sensibilizojmë synimet e mbrapshta të Serbisë për të destabilizuar situatën në Kosovë.

Dje kemi mbajtur Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit dhe gjitha institucionet që i takojnë këtij Këshilli dhe kemi marrë vendim që institucionet e Republikës së Kosovës në përputhje me situatën të ndërmarrin gjitha veprimet ligjore dhe veprimet kushtetuese.

Unë mendoj se kthimi mbrapa i këtij treni është veprim i duhur, dhe se hyrja e tij në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës është jetësisht e përkushtuar që të kontribuoj në lëvizjen e lirë të qytetarëve, realizimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, por, nuk do të lejoj provokime të tilla të cilat kanë për synim final kthimin e Kosovës dhe të rajonit në vitet e errëta të konflikteve të paparashikueshme.

Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në bashkëpunim të plotë me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, të angazhohemi për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Një falënderim të posaçëm e kam edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian për përkrahjen e tyre për Republikën e Kosovës në të gjithë hapat e saj, sepse kjo përkrahje është shumë e rëndësishme për ne, që të zgjidhim problemet që i kemi tani por poashtu, të zgjidhim edhe problemet me të cilat do të ballafaqohemi edhe në të ardhmen në ndërtimin e institucioneve tona dhe në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike.

Faleminderit!

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...