Surroi kërkesën për ekstradim të Haradinajt nga Serbia e quan suspendim të gjyqësisë së Kosovës

10 Janar 2017 - 17:42      

Shkrimtari, publicisti dhe politikani i Kosovës Veton Surroi,në profilin e vet të Facebookut ka shkruar rreth kërkesës së Serbisë bërë Francës për ekstradimin e Ramush Haradinajt, transmeton Koha.net.

Këtë kërkesë Surroi e ka quajtur përpjekje të Beogradit për të rrëmbyer me mjete juridike një qytetar të Kosovës me të cilën bëhet suspendimi i autoritetit gjyqësor të Kosovës.

Ai ka shtuar se autoritetet e Prishtinës ankohen kot te të tjerët pasi adresa është në Prishtinë.

“Autoritetet nuk janë zgjedhur për të vajtuar por për të mbrojtur interesat e vendi”, ka thënë ai.

Surroi ka shkruar:

1. Kërkesa e Republikës së Serbisë për ekstradimin e qytetarit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj në Serbi është , nga këndi i pastër juridik, përpjekje për rrëmbim të një qytetari të Kosovës me mjete juridike.

2. Kërkesa e Republikës së Serbisë për ekstradimin e një qytetari të Republikës së Kosovës për krime të supozuara në Kosovë është, po ashtu ,veprim suspendues i autoritetit gjyqësor të Republikës së Kosovës.

3. Në që të dyja rastet, kemi të bëjmë me agresion ndaj të drejtave të qytetarëve të Kosovës, gjegjësisht rendit Kushtetues të vendit.

Autoritetet e Prishtinës dhe opinioni publik më kot ankohen për veprimet e të tjerëve, adresa është në Prishtinë. Të drejtat e qytetarëve të Kosovës nuk po mbrohen sepse ish kryeministri e tash presidenti Thaçi nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, me të cilën Serbisë iu hap dera për në anëtarësim në BE. Në atë marrëveshje dhe marrëveshjet e tjera të dala nga ajo nuk ekziston njohja e sovranitetit të Kosovës; në to Kosova dhe Serbia ndajnë sovranitet në Kosovë.

Rrjedhimisht, lejen Beogradit për kërkim ekstradim të Ramush Haradinajt , me veprimet e veta ia kanë dhënë Hashim Thaçi dhe vartësit e tij në negociatat e Brukselit.
4. Autoritetet e Kosovës nuk janë zgjedhur për të vajtuar. Janë aty për të mbrojtur interesat e vendit. Duke mos e bërë, qartazi e bëjnë veten të tepërt.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...