Foto: Koha / arkiv

Daçiq: Politikanët shqiptarë janë në gjendje të kryejnë edhe vepra terroriste

9 Janar 2017 - 21:12      

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se Serbia ka informata se në diasporën shqiptare po planifikohet që të “merret ndonjë nga misionet diplomatike apo konsullore të Serbisë në SHBA apo Evropë” dhe përmes kësaj “Serbia të detyrohet të heq dorë nga kërkesa për gjykim ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj”.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve FoNet, Daçiq mësohet t’i ketë njoftuar shërbimet policore dhe inteligjente të këtyre vendeve dhe të gjithë përfaqësuesit diplomatikë e konsullorë të Serbisë dhe u janë dhënë instruksione dhe janë ndërmarrë masa për mbrojtje parandaluese.

“Kjo tregon se çka janë në gjendje të bëjnë politikanët shqiptarë – deri në terrorizëm”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se Serbia ua kujton të gjitha vendeve se janë përgjegjëse për sigurinë e stafit të tyre diplomatik e konsullor dhe “politikanëve shqiptarë ua tërheq vërejtjen që të mos luajnë me zjarrin” dhe se “Serbia do t’i mbrojë interesat e veta”.

“Serbia nuk do të tërhiqet nga ndjekja e Haradinajt e as nga kushdo tjetër që ka kryer krime ndaj popullit serb. Edhe populli serb, sikurse gjithë të tjerët, meritojnë drejtësi”, ka porositur Daçiq.

Ministri serb ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili tha se pas arrestimit të Haradinajt, duhet rishikuar dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Kjo deklaratë tregon se thelbi i politikës shqiptare tregon se krimet ndaj serbëve janë të lejuara dhe se dialogu është vetëm me qëllim të afirmimit të pavarësisë së Kosovës. Kjo është ofenduese për të gjitha viktimat e UÇK-së, për krimet e së cilës është formuar edhe Gjykata Speciale”, ka shtuar Daçiq, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se Serbia është për dialog konstruktiv, por se nuk frikësohet dhe nuk lejon që askush ta kushtëzojë e as ta poshtërojë vendin.

“Ofendimet në drejtim të Aleksandër Vuçiqit, për shkak të qëndrimit të tij ndaj Haradinajt, tregojnë se sa është e interesuar Shqipëria për marrëdhënie të mira me Serbinë. Nëse Vuçiqi, siç thotë Bushati, jeton në të kaluarën, në çfarë vilajeti të errët jetojnë politikanët në Shqipëri e Kosovë”, ka pyetur kryediplimati serb.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...