LB: Shqiptarët në Maqedoni të kërkojnë ndryshime kushtetuese

8 Janar 2017 - 12:30      

Lëvizja për Bashkim, përmes një komunikate për media, ka përshëndetur dokumentin e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni.

Në këtë komunikatë, LB thotë se pas shumë përpjekjeve dhe pas një pune të koordinuar edhe nga ana e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, faktori politik shqiptar në Maqedoni doli me një dokument të përbashkët, ku u përvijuan kërkesat kryesore të tij për qeverinë e ardhshme në Maqedoni. Gjithashtu, përmes këtij dokumenti, shtrohet rruga edhe për krijimin e Tryezës së Partive Politike Parlamentare Shqiptare në Maqedoni që do të mbikëqyr realizimin e këtyre kërkesave si dhe do të trajtojë çështje të tjera.

Lëvizja për Bashkim uron përfaqësuesit e partive politike shqiptare për këtë hap dhe konsideron se është e domosdoshme që përfundimisht shqiptarët të fillojnë të flasin me një zë e të mos shndërrohen në patericë të qeverisjeve të partive politike maqedonase.

“Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që ky unitet të mos jetë vetëm një episod formal për të tejkaluar presionin e opinionit publik shqiptar, por të përbëjë bazamentin e një mendësie të re të politikëbërjes në funksion të realizimit të të drejtave të shqiptarëve”, thotë LB.

Megjithatë, Lëvizja për Bashkim dëshiron të tërheqë vëmendjen e palës shqiptare në Maqedoni që të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën e artikulimit të kërkesës për njohjen e shqiptarëve si popull shtetformues.

“As Marrëveshja e Ohrit, as Kushtetuta e Maqedonisë nuk ia njohin popullit shqiptar në Maqedoni këtë të drejtë. Prandaj, në fokus të kërkesave të partive shqiptare do të duhej të jenë pikërisht ndryshimet kushtetuese përmes të cilave shqiptarët do njiheshin si popull shtetformues në Maqedoni. Ne qëndrojmë të bindur se me një koordinim politik ndërshqiptar dhe me një veprim të vendosur politik të partive shqiptare në Maqedoni, realizimi i këtij qëllimi është krejtësisht i mundur”, përfundon Lëvizja për Bashkim. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...