Opozita konsideron se Serbia përfitoi nga çdo marrëveshje, Kosova në asnjë

8 Janar 2017 - 11:21      

Serbia vazhdoi edhe vitin 2016 të mos përfill shumë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel. Pala serbe në vazhdimësi ka bërë që nga marrëveshjet të dal fituese, ndërsa pala kosovare ka humbur. Humbjet më të mëdha nga ndërhyrjet e Serbisë përllogariten të jenë bërë në sistemin energjetik.

Nuk mund të anashkalohet as humbjet që Kosovës i ka shkaktuar në sistemin e telekomunikacionit, deklarojnë përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

Përfaqësues nga opozita, nuk pajtohen me mënyrën e bisedimeve me palën serbe.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për të dialoguar me Brukselin lidhur me kartonin e gjelbër, Rrahim Pacolli, ka thënë për KosovaPress se marrëveshja për lëvizje të lirë mes dy vendeve deri diku është realizuar por që shqetësues mbetet fakti që Serbia vazhdon të mos i njoh targat e Kosovës.

“Marrëveshja më 2016 ka shkuar shumë mirë sa i përket pagesave të dëmeve nga pala e Serbisë dhe pala kosovare. Gjithçka ka shkuar në rregull. Personalisht çka më shqetëson është ajo që qytetarët e Kosovës që nuk lejohen të shkojnë në territorin Serbisë me targat RKS. Këtu thyhet marrëveshja, por kjo është problem i Ministrisë së Punëve të Brendshme që mos të lejohet pala serbe me hy në Kosovë me traga ose të ju bëhet e njëjta sikurse ajo që ju bëhet qytetarëve të Kosovës”, tha Pacolli.

Rexhep Selimi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se të gjitha marrëveshjet që deri më tani janë arritur kanë qenë në favor të sponsorizuesit, në këtë rast të Beogradit.

“Të gjitha marrëveshjet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kanë rezultuar që janë marrëveshje në interes të sponsorizuesve të tyre. Edhe marrëveshja për telekomunikacionin e favorizon Qeverinë e Beogradit ku e bënë operuese me telefoninë e saj fikse dhe mobile në të gjithë territorin e Kosovës. Edhe marrëveshja për targat e favorizon shtetin e Serbisë, ku e bënë atë jo të barabartë me shtetasit e Kosovës. Pra të gjitha marrëveshjet që nga fillimi deri më tani, në Bruksel kanë qenë të sponsorizuara në interes edhe nga Qeveria e Serbisë për tu rikthyer në forma të ndryshme me dominimin, ndikimin e vet brenda territorit të Kosovës”, tha Selimi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se çdo marrëveshje e nënshkruar mes palëve ka shkuar në favor të Serbisë.

“Asnjë marrëveshje, aty ku nuk ka qenë interesi i Serbisë, nuk janë nënshkruar. Janë nënshkruar lehtësisht nga Serbia aty ku përfiton qytetari i Serbisë dhe shteti i Serbisë dhe në këtë drejtim unë them se përfitimet e Kosovës janë zero. Kur e them këtë e bazoj në argument, sepse të bisedosh për çështje të brendshme të shtetit tënd me shtetin fqinj dhe ai ta rregullon gjendjen brenda, sikur tani që kemi murin dhe veriun e Mitrovicës dhe shumë gjëra tjera që janë kompetencë e shtetit dhe qeverisë së Kosovës, kjo është nonsens”, tha Lekaj.

Ai tha se edhe tek kodi telefonik për Kosovën, Serbia ka pasur përfitime, se “po që se nuk do të kishte, nuk do t’ia lejonte Kosovës marrjen e saj”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...