Dokumenti përbashkues i shqiptarëve të Maqedonisë ka shtatë pika

7 Janar 2017 - 13:44      

Pas disfatës që pësuan, duke humbur gati 10 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë, shqiptarët atje janë bashkuar.

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim, përmes një komunikate për media pas mbledhjes së sotme, ka miratuar tekstin e Platformës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare.

Po e publikojmë të plotë deklaratën e përbashkët të partive politikë shqiptare në Republikën e Maqedonisë:

Ne, perfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”;

Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016;

Në frymën e Marrëveshjes të Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese;

Duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë;

Të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë;

Të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon;

Të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Europian;

Biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:

1. Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën

• Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare.

• Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

• Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

• Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.

2. Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal

• Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

• Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.

• Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

• Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjencitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.

3. Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik

• Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.

• Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.

• Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.

4. Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit

• Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

• Krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.

5. Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare

• Miratimi i një Rezolute të Përbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se çështjes së emrit.

• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.

6. Marrëdhënie të mira me fqinjët

• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.

• Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

• Hapje e pikave të reja kufitare.

7. Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

• Përmbushja e pikave të mësipërme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmendura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...