Raport i KTV-së për pelegrinët serbë në Gjakovë dhe kundërshtimin e familjarëve të viktimave

6 Janar 2017 - 19:35      

I ftohti nuk i ka ndalur qytetarët e Gjakovës që të protestojnë kundër ardhjes së një autobusi me serbë në Kishën ortodokse.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që në numër ishin më shumë se protestuesit, larguan këta të fundit nga hapësirat e kishës.

Madje vetë komandanti i Policisë në Gjakovë, Krist Gjoka, u përkujdes për largimin e tyre.

Por ata hasën në rezistencë nga disa gra, të cilat me anë të protestës, kërkonin drejtësi për të afërmit e tyre të vrarë në luftë.

Për mosbindje të urdhrave të policëve, ato u shoqëruan për në stacion policor.

Pas largimit të protestuesve erdhën 62 serbë me përcjellje të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Autobusit që hyri brenda oborrit, në muret e të cilit ishte shkruar ‘vrasës’ nga ana e protestuesve, derisa kishte hyrë në qytet i ishte thyer xhami nga dy persona të cilët u arrestuan nga Policia.

Djokica Stanojeviq, që është i lindur në Gjakovë, ka thënë se nuk ia mendon të keqen qytetit dhe se kanë ardhur në kishën e tyre.

“Ne kemi ardhur pa asnjë provokim, nuk kemi për qëllim që t’ju provokojmë. Ne kemi lajmëruar që do të vijmë dhe kemi kërkuar që të na mundësojnë ardhjen e sigurt. Ata na e siguruan. Pra, ne këtu nuk kemi ardhur për të provokuar. Mua më vjen keq për atë që ka ndodhur në qytetin tim në vitin 1999”, ka thënë Stanojeviq.

Ndërkaq, majori Gëzim Zogaj, duke folur për arrestimin e protestuesve ka thënë se vetëm kanë zbatuar urdhrat.

Pas mbajtjes së ritualit, autobusi me 62 serbët e ardhur u largua nga Gjakova.

Protestat e qytetarëve të Gjakovës janë bërë tradicionale kundër vizitave të tilla, pasi siç thonë nënat e viktimave në mesin e “pelegrinëve” ka edhe kriminelë serbë të përfshirë në masakrat në Gjakovë gjatë vitit 1999.


Raport i KTV-së për pelegrinët serbë në Gjakovë... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...