6 Janar 2017 - 16:28
“Më lejoni që të ritheksoj qëndrimin e padilemë të Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletarresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Mustafa, qëndrim të cilin e ka postuar edhe në profilin e tij në Facebook.
“Ne e kemi bërë të qartë që në momentet e para të ndalimit të z. Haradinaj, se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë angazhuar me kapacitet të plotë dhe vazhdojnë të punojnë me prioritet të plotë për të kontribuar në çdo formë për lirimin sa më të shpejt të z. Haradinaj, në mënyrë që ai sa më parë të kthehet në Kosovë dhe të vazhdojë me aktivitetet e tij”, ka shtuar më tej ai.
Mustafa, ka thënë se “aktet e ndalimit të z. Haradinaj, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë, i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pas parasysh edhe faktin se z. Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”.
“Andaj, ne presim që z. Haradinaj të kthehet shumë shpejt në Kosovë dhe po ashtu presim që edhe Qeveria Franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore”, ka thënë Mustafa. “Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”, ka shtuar më pas.
Mustafa ka thënë se në konsultim të gjithanshëm me autoritetet brenda dhe jashtë vendit, do të shqyrtohen masat adekuate të veprimit në rast se Serbia, siç ka thënë, duke keqpërdorur mekanizmat ndërkombëtarë që merren me rend dhe ligj, do të vazhdojë aplikimin e këtyre akteve të palejueshme dhe të pamoralshme politike ndaj veprimtarëve dhe luftëtarëve për liri të Kosovës.
“Unë, po ashtu, kërkoj që organet kompetente, të cilat me një përkushtim shumë të madh kanë punuar deri më tani, të vazhdojnë të punojnë, në mënyrë që z. Haradinaj të kthehet, por po ashtu do të vazhdojmë që të kemi kontakte edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalohen veprimet e tilla serbe në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...