Kuvendit i shkojnë nënshkrime që Specialja të trajtojë edhe krimet e Serbisë

5 Janar 2017 - 17:27      

Shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina ka deponuar sot një kërkesë në Sekretariatin e Parlamentit të Kosovës me të cilën i drejtohet në të shkruar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që të iniciojë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Hagë në mënyrë që kjo gjykatë të merret me krimet e luftës që ka bërë Serbia në fshatin Kralan ndaj civilëve të komunës së Klinës gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në letrën drejtuar mediave nga kjo shoqatë rikujtohet se në Kralan, më 4 prill 1999 janë ekzekutuar 86 civilë shqiptarë të moshës nga 14 deri 55 vjeçare nga ushtria dhe policia serbe.

“Vrasësit e tyre edhe pas 17 viteve gjenden të lirë nëpër Serbi”, thuhet në komunikatë.

Në të njëjtën kohë OJQ “Familja dhe Shpresa” kërkon që Parlamenti i Kosovës të marrë vendim detyrues që ta kushtëzojë dialogun e Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës dhe e deri në detyrimin e Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë dhe dërgimin e përgjegjësve të Serbisë para drejtësisë në këtë gjykatë për të gjitha krimet e tjera të luftës gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Është e pakuptueshme dhe e papranueshme që edhe pas më shumë se 17 viteve askush nuk është dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krimin në Kralan dhe krimet e tjera ndaj civilëve të komunës së Klinës. Ekzekutuesit dhe përgjegjësit e tjerë nga ushtria dhe policia e Serbisë gjenden ende të lirë edhe pas këtyre shumë viteve. Kjo është skandaloze dhe e turpshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe ata që thirren në drejtësi ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë përfaqësuesja e OJQ-së “Familja dhe Shpresa” Zana Bytyqi.

Sipas saj e pakuptueshme dhe e papranueshme po ashtu është që Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës kanë pranuar të miratojnë një ligj kaq selektiv i cili në formën aktuale nuk merret me krimet e Serbisë ndaj më të dashurve tanë.

“Është koha që qeveritarët dhe deputetët e Kosovës, të të gjitha partive politike, të këndellen e të marrin guximin që të plotësojnë këtë ligj e të mundësojnë që edhe kriminelët e Serbisë të gjykohen në këtë gjykatë për të gjitha krimet e bëra në Kosovë”, thuhet në fund të letrës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...