Foto: Ilustrim

Kulmi i epidemisë së gripit, çdo javë 16 mijë të sëmurë në Shqipëri

4 Janar 2017 - 15:59      

Virusi i gripit që qarkullon në Shqipëri është ai AH3N2, i cili ka disa vite që nuk kishte prekur Shqipërinë, ndaj dhe popullata është fare e pambrojtur nga ana imunitare, çka sipas mjekëve infeksionistë shpjegon përhapjen e menjëhershme të tij.

“Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Evropën që në javën e parë të dhjetorit u vu re një tendencë rritëse goxha e shpejtë. Aktualisht jemi mbi pragun e epidemisë, por nuk kemi të dhëna që të mund të ngremë alarme, sepse nuk ka arritur intensitetin e madh siç ishte para dy vjetësh. Ndërkohë, qendrat shëndetësore të Tiranës, që prej datës 20 dhjetor punojnë edhe ditë të diele”, deklaron ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, raporton TCh.

Poliklinika e spitale shënojnë fluks të madh pacientësh, por mbingarkesë ka në shërbimet e urgjencave, si në ato pediatrike ashtu edhe në Spitalin Infektiv.

“Llogariten rreth 850 raste çdo ditë, kryesisht të sëmurë kronikë me probleme kardiake, polmonare, tek veshkat dhe imuniteti. Tek këta persona, gripi nga një formë e zakonshme mund të kthehet në forma që sjellin probleme të rënda si vështirësi polmonare, në frymëmarrje, apo mbivendosje të infeksioneve bakteriale”, thotë Arjan Harxhi, shef i Departamentit të sëmundjeve infektive.

Mjekët i bëjnë thrrije qytetarëve që të bëjnë kujdes që në shfaqjen e simptomave dhe që të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes pasi fluksi është i papërballueshëm.

“Urgjenca e spitalit, qoftë QSUT, pediatria, apo tek të rriturit duhet të menaxhojnë rastet urgjente. Por njerëzit kanë tendencën të paraqiten për çdo lloj simptomatologjie”, thotë Harxhi.

Ndërkohë, në 10 qendrat shëndetësore të Tiranës, vetëm në një dite kryhen rreth 570 vizita. Harxhi theskon se duhet vënë në zbatim plani i epidemive dhe pandemive për shtim të personelit mjekësor.

“Ekzistojnë mundësitë që të shtohet personeli, sidomos në orët e pikut, të shtohet numri i shtretërve dhe për të rritur gamën e preparateve, si atyre antivirale edhe antibakteriale”, shton Harxhi. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...