Foto: Reuters / ilustrim

Shkupi reagon ndaj deklaratës së Daçiqit

3 Janar 2017 - 18:59      

Pas deklaratës së djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, se Serbia ka gabuar që e ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, sot pasoi reagimi i Shkupit zyrtar.

“Ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë ekzistojnë marrëdhënie shumë të afërta dhe të thella dhe nuk është rastësi që qytetarët e të dy vendeve kanë ndjenja shumë pozitive për fqinjët në anën tjetër. Politikanëve u mbetet vetëm t'i thellojnë ato marrëdhënie historike, ndërsa nëse nuk munden ta bëjnë këtë atëherë duhet të jenë të përgjegjshëm që të paktën të mos e rrënojnë miqësinë që ekziston ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë në të dy drejtimet. Kjo duhet të vlejë edhe në kushte kur është e qartë se po nxehet atmosfera për votimin e radhës për pranimin e Kosovës në UNESCO”, thuhet në reagimin e MPJ-së maqedonase.

Ndërkaq, analistët në Maqedoni thonë se institucionet shtetërore duhet të shqyrtojnë me seriozitet deklaratën e shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq.

“Daçiq e ka thënë deklaratën ose analizën me emocione, por kjo ka edhe pasoja tjera meqenëse të gjithë ne e dimë se vjen një kohë kur Serbia po ashtu fuqizohet duke marrë përkrahjen nga Rusia si dhe duke lënë hapësirë për zhvillimin e neonacizmit ose xixave tjera për konflikte të mundshme në rajon. Kjo është çështje serioze dhe besoj se Serbia nuk e mendon me seriozitet atë që e ka thënë Daçiq”, tha Albert Hani, analist, raporton Alsat-M.

Retorika e Daçiqit është e para e llojit të tillë nga ana e Serbisë, e cila është e habitshme dhe e pakuptueshme në angazhimet për marrëdhënie të mira fqinjësore, vlerësojnë nga Instituti për Politika Evropiane. Megjithatë, sipas tyre ky qëndrim i tij është rezultat i ndikimit të dobët të diplomacisë së Maqedonisë.

“Nga ana jonë e medaljes megjithatë, ajo tregon një politikë të jashtme të pafuqishme, pozita jonë bie pingul në rajon, dhe kjo është gjithashtu diçka që duhet të na brengosë. Ajo që është urgjentisht e nevojshme për Maqedoninë, është rimëkëmbja e saj e brendshme e cila do mund të reflektohet më vonë me një politikë të jashtme të forcuar, dhe në çdo rast prioretizimi i marrëdhënieve me fqinjët”, deklaroi Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Shefi i diplomacisë së Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se vendi tij ka gabuar që ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, kjo për shkak se Maqedonia ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha se me njohjen e Maqedonisë serbët i kanë fyer vëllezërit e tyre grekë.

Ndërkohë kreu i Partisë Liberal Demokratike Çedomir Jovanoviq qëndrimin e këtillë të shefit të diplomacisë serbe e cilësoi përkeqësim me vetëdije të marrëdhënieve duke quajtur Daçiqin “nacionalist i vetëdijshëm”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...