Foto: Koha / Ilustrim

Shqiptarët dorëzojnë armët

3 Janar 2017 - 15:44      

Nisma e Ministrisë së Brendshme për mbledhjen e armëve ilegale në duart e shqiptarëve u pa me skepticizëm gjatë lansimit të saj, por mesa duket qytetarët po i përgjigjen pozitivisht ftesës për dorëzimin e tyre.

Vetëm gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit që lamë pas, në komisariatet e policisë kanë telefonuar ose janë paraqitur vullnetarisht 23 persona, të cilët kanë dorëzuar armë të llojeve të ndryshme, raporton Top Channel. Dy dorëzime janë regjistruar në kryeqytet, ndërkohë që armë janë mbledhur edhe në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër dhe Vlorë. Por, për të njëjtën periudhë, ka pasur edhe nga ata që nga frika se do të ndiqeshin penalisht, kanë zgjedhur një tjetër mënyrë për të hequr dorë nga armët. Në 13 raste të tjera uniformat blu kanë gjetur armë zjarri në kazanet e plehrave, armë që besohet se janë lënë nga qytetarë të painformuar mirë mbi proceduarat e dorëzimit.

Sipas projektligjit të qeverisë, i përfshirë në amnistinë e fundvitit, përjashtohen nga ndjekja penale dhe ata persona që dorëzojnë vullnetarisht një armë deri në datën 30 Prill 2017. Lloji më i shpeshtë i armëve që mbajnë shqiptarët është automatiku dhe pistoleta, por nuk mungojnë as pushkët e gjahut, të cilat një pjesë janë pa leje.

Edhe në vitin 1997 në vend u miratua një ligj që amnistonte personat që dorëzonin vetë armët. Në atë kohë, u mblodhën mijëra armë luftarake, por shumë më pak sesa dolën nga depot e ushtrisë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...