Presidenti i gazit

2 Janar 2017 - 22:35      

Nuk është zgjedhur në Vatikan dhe as nuk është bërë Papë. Por, tymi e ka shoqëruar procesin e zgjedhjes dhe inaugurimit të Hashim Thaçit për President të Republikës.

Nuk ka qenë asi tymi që del nga oxhaku mbi çatinë e Kapelës Sistina, menjëherë pasi kardinalët zgjedhin të parin e katolikëve.

Pra, asi tymi që për burim ka djegien e fletëvotimeve të përdorura gjatë zgjedhjes së Papës. Por, ka qenë gaz lotsjellës që opozita e ka hedhur në Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen për ta bllokuar ngjitjen e Thaçit në majë të pushtetit, shkruan Koha Ditore.

Megjithëkëtë, njeriu që prej themelimit e ka drejtuar PDK-në, në fund të shkurtit ia doli të bëhet president, në një seancë që nuk ishte e jashtëzakonshme vetëm për kah statusi procedural.

Procesi maratonik 9-orësh, përveçqë ishte shoqëruar me gaz lotsjellës në sallën plenare, nga e cila deputetë opozitarë ishin nxjerrë zvarrë, jashtë Kuvendit ishte shoqëruar edhe me përleshje midis policisë e mijëra protestuesve që kundërshtonin këtë zgjedhje.

Ai arriti të konfirmohet President Shteti tek në raundin e tretë të votimit. Në të parin siguroi vetëm 50 vota, duke thyer kështu një rekord të zi, ngaqë prej pasluftës e këtej, nuk kishte marrë ndonjë president kaq pak mbështetje në ndonjë rreth votimi.

Kuorumin ia siguroi LDK-ja, që bashkëqeveris me PDK-në. Të dyja, deri para dy vjetësh, kanë qenë rivalët kryesorë në skenën politike.

Midis deputetëve që votuan ishin edhe Doruntinë Maloku e Armend Zemaj, që për një kohë të gjatë kishin bërë me gisht kah Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij për vrasjet politike të pasluftës, të cilat i kishin prekur edhe në familje.

Në procesin zgjedhor të Thaçit ka votuar edhe Alma Lama, deputete, që me muaj të tërë rresht kishte thënë se nuk do t’ia bënte kuorumin. Më pas është shpërblyer për këtë, duke u dërguar ambasadore në Itali. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin festiv të Kohës Ditore, që mbetet në treg deri të martën më 3 janar)

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...