Foto: Koha / ilustrim

Mustafa arsyeton plotësim-ndryshimin e Ligjit për Veteranët

1 Janar 2017 - 12:25      

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vitin 2017 e ka nisur me një postim në profilin e tij në Facebook, ku ka arsyetuar vendimin e seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës për vitin që sapo lamë pas, atë të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Veteranët e UÇK-së.

Mustafa ka thënë se me miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore është mundësuar që Kosova të vazhdojë të mbetet në programin e FMN-së, e që në rast të mosmiratimit të këtyre ndryshimeve, vendi anë, sipas Mustafës, rrezikonte të humbte rreth 2 miliardë euro përkrahje buxhetore nga FMN, BE, Banka Botërore e institucione tjera buxhetore.

Ky është postimi i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Një ditë para përfundimit të vitit që e lamë pas, Kosova mori një vendim shumë të rëndësishëm. Pas një pune të gjatë dhe shteruese, ndryshuam dhe plotësuam Ligjin mbi Veteranët e UÇK-së. Ndryshimi i këtij ligji në tre aspekte bazë: kufizimi i pjesëmarrjes në BPV, moskushtëzimi i pensioneve me pagën minimale dhe riklasifikimi i veteranëve, ishte dhe mbetet kusht për të mbetur në program të këtij institucioni shumë të rëndësishëm botëror.

Ja, pse ky vendim ishte aq i rëndësishëm.

Janë rreth 177 milionë euro përkrahje buxhetore nga FMN dhe BE-ja të parealizuara për vitin 2016 dhe një pjesë për vitin 2017, të cilat rrezikonim t’i humbnin, nëse Kosova do të largohej nga Programi i FMN-së. Po ashtu rrezikonim marrëveshjet e lidhura ose ato që pritet të lidhen për rreth 902 milionë euro hua ndërkombëtare me Qeverinë e Francës, atë të Hungarisë, Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe Luksemburgut; me Bankën Botërore, me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me Bankën Evropiane për Investime, me Bankën Gjermane për Zhvillim dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kishim informatë se me të qëndruarit në program të FMN-së mund të ndërlidhej edhe përkrahja e Bankës Botërore dhe agjencioneve të saj për të kredituar ndërtimin e TC Kosova e Re (një kredi që parashihet të sillet rreth 700 milionë euro).

Vlerësimi i FMN-së, nga shumë takime që i kemi pasur gjatë vitit 2016, ishte se situate me pensionet e veteranëve të UÇK-së, për shkak të listave të fryra dhe mundësisë që fatura të jetë e pakontrolluar dhe rrëshqitëse, rrezikonte stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Buxhetit të Kosovës.

FMN kishte vlerësuar se për këtë destinim mund të ndahen në vit më së shumti 0.7% e Bruto Produktit Vendor, dhe të mos ketë tejkalim të kësaj vlere, e cila do të mbante në korniza relacionet ndërmjet investimeve kapitale, pagave dhe mëditjeve dhe transfereve sociale.

Ne arritëm, që me mirëkuptim dhe marrëveshje me Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, të përfshijmë këtë kriter në ligj së bashku me instrumentet të cilat e bëjnë të mundur përshtatjen e pagesave, për të mbetur brenda shumës prej 0.7% në GDP për vitin 2017. Me rritjen e Bruto Produktit Vendor (GDP) çdo vit do të rritet edhe shuma e cila destinohet për këtë qëllim.

Kuvendi dhe Qeveria me ndryshimin e këtij Ligji, ofruan stabilitet për kreditorët, për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe kapacitet për të përballuar kërkesat dhe detyrimet nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe për të mbajtur një nivel të përballueshëm të ngarkesës së Bruto Produktit Vendor me tatime dhe taksa.

Falënderoj deputetët të cilët morën pjesë në seancën e Kuvendit, edhe pse ishte dita e parafundit e vitit 2016, dhe aktivisht kontribuuan për një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit tonë. Ky Ligj si dhe Buxheti prej mbi 2 miliardë euro është bazament për një vit të mbarë e të suksesshëm. IM 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...