Foto: Koha / ilustrim

Ekonomia në vendnumërim [video]

31 Dhjetor 2016 - 21:11      

Ekonomia kosovare hasi në probleme e sfida të njëpasnjëshme që nga janari i 2016-s. Me qëllim të rritjes së transparencës, qeveria lansoi prokurimin elektronik.

Nisi me gjashtë institucione të ndryshme dhe plani është që nga fillimi i 2017-s, të nisë në të gjitha institucionet, por hasi në probleme të shumta, pasi nuk ishin bërë trajnimet e punëtorëve të prokurimit me çka edhe solli vonesa të shumta në publikim të tenderëve, raporton KTV.

Në këtë proces, shumë kompani vendore hoqën dorë nga konkurrimi nëpër tenderët e institucioneve. Kjo, pasi përkundër që produktet e tyre i plotësojnë standardet ndërkombëtare, asnjëherë nuk po arrijnë që të gjejnë tregun e vendit, në krahasim me tregun e jashtëm.

Gjatë vitit kishte raporte të ndryshme rreth rritjes ekonomike. Përderisa qeveria thoshte se ajo do të arrinte në 4%, raportet e dy institucioneve ndërkombëtare FMN-ja dhe Banka Botërore sugjeruan se rritja ekonomike mund të arrinte në rreth 3%. Për 2017, qeveria ka paraparë rritje ekonomike prej 4.4%.

Një prej sfidave kryesore të qeverisë ka qenë padyshim Trepça. Tërheqja e këtij ligji pas problemeve që ishin me kreditorët, solli jo pak kokëçarje në rikthimin e tij në Kuvend. Pas shumë muaj dhe shumë afër afatit përfundimtar të zgjidhjes së fatit të kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme për vendin, qeveria solli ligjin me të cilin e shndërroi Trepçën ndërmarrje publike duke futur bashkëpronarë edhe punëtorët përmes aksioneve. Ashtu edhe siç pritej, partneri serb në qeveri nuk u pajtua me këtë hap duke e dërguar këtë ligj edhe në Gjykatën Kushtetuese për ta anuluar, por e humbën betejën, njëjtë siç u ndodhi edhe me Ligjin për Investimet Strategjike. Serbët mbajtën edhe protesta e bllokuan rrugë në veri. Ndërsa, disa ndërmarrje serbe po përgatiten që ta dërgojnë rastin në arbitrazh. Edhe pse ligji u miratua, Trepça vazhdoi të funksionojë siç ishte dhe në pritje të daljes së raportit të fizibilitetit, me të cilin do të përcaktohej se cilat asete duhet të mbesin pronë publike dhe cilat do të shiteshin.

Një zhurmë e madhe brenda koalicionit qeverisës u bë për mënyrën e shpërndarjes së pensioneve. PDK-ja akuzoi LDK-në se me qëllim dhe për interesa të ngushta ekonomike po i shpërndan përmes një banke pensionet. Pavarësisht se LDK-ja u bazua gjithë kohën në ligj, Posta e Kosovës e fitoi rastin në OSHP e cila kërkoi që ligji të ndryshohej. Deri në fundvit, nuk kishte ndonjë zhvillim në këtë drejtim. Ndërsa Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i kthyer në funksion pas 3 vjetësh, do të shqyrtojë këtë problematikë me të nisur viti 2017.

Pensionistët, të cilët kanë fondet e veta në Serbi, nuk pritën më ndihmën e qeverisë, e cila për çdo vit u dha premtime, por asgjë nuk bëri. Me forcat e veta dhe pas fitimit të një rasti në Gjykatën e Strasburgut ata kanë nisur përpjekjet për të detyruar Serbinë t’ua japë paratë që u takojnë, por sipas pensionistëve, Ministria e Punës u ka dalë pengesë, pasi nuk po ua jep listën e pensionistëve që të njëjtën ta dërgonte në Strasburg me arsyetimin se ato janë sekrete. Kjo kishte shtyrë të njëjtin që ta padiste ministrinë në gjykatë për pamundësi qasjeje në dokumentet zyrtare.

Sektori bankar në vend ka performuar mirë dhe me fitime, por i njëjti u bë barrë për shumë qytetarë pas lëshimit të aplikacionit të e-banking-ut e në anën tjetër, rriti shërbimet që kryheshin në bankë. Ky produkt nuk ishte lehtë i përdorshëm për një pjesë goxha të mirë të qytetarëve, por përkundër ankesave askush nuk u doli në ndihmë. Sa u përket kredive, normat e tyre u ulën, por ankesa kishte për procedurat burokratike të dhënies së kredive, sidomos ndaj sektorit të bujqësisë që përkundër se u krijua fondi i garantimit të kredive për këtë sektor, bankat vazhduan t’i mbajnë kamatat e larta.

Edhe ky vit shkoi duke e pritur ardhjen e Kartonit të Gjelbër. U paralajmërua se Austria ose Sllovenia do të ishin garantuese të funksionimit të Kartonit të Gjelbër për territorin e Kosovës, por një gjë e tillë nuk e pa dritën asnjëherë.

U trumbetua shumë nga qeveria se po krijohen të gjitha kushtet për rritje të investimeve të jashtme, por Kosova vitin që lamë pas, pati rënie të investimeve. Gjithashtu u ulën edhe remitencat, për të cilat fillimisht shpresohej se mund të kanalizoheshin në investime, por ajo pjesë e dedikuar për investime nga diaspora shkoi në blerje të banesave. U prit shumë se do të mblidheshin paratë për investime në Brezovicë nga konsorciumi francez i kualifikuar, por as kjo nuk u arrit. Ky i fundit u ankua në pasigurinë e investimit për shkak të krizës politike, përderisa një rol të madh për dështimin e tij kishte edhe Beogradi bashkë me Listën Serbe. Një zhvillim tjetër i rëndësishëm u prit të ishte termocentrali i ri. U prit që disa marrëveshje të rëndësishme të nënshkruheshin dhe projekti të mund të niste nga fillimi i 2017-s, por për shkak të këtyre problemeve, nisja e ndërtimit ka gjasa të vonohet. Një problem i madh për investimet ishte mungesa e tokës. Shumë komuna humbën investimet për shkak të kësaj problematike. Po shpresohet se kjo do të zgjidhet me Ligjin për Investimet Strategjike.

Në raportet ndërkombëtare, Kosova u rendit më mirë në raportin e Bankës Botërore e të bërit biznes, por shqetësues ishte rikthimi i top problemeve të bizneseve furnizimi me energji elektrike. KEDS-i u arsyetua se po bën investime në rrjetin e vjetruar, por hetimet e bëra nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe raportet e brendshme të dala e dëshmuan të kundërtën. Rregullatori ia ndaloi këto ndërprerje pos kur ka nevojë urgjente. Përpos këtyre problemeve, KEDS u përball me një numër problemesh, pasi largoi shumë punëtorë nga puna në kundërshtim me ligjin e punës. Punëtorët fituan rastin, por KEDS-i nuk e pranoi dhe dërgoi rastin në gjykatë. Gjithashtu muajt e fundit të vitit u rritën edhe pakënaqësitë për çmimet e larta të faturave.

Kosova sipas kërkesave të BE-së, duhet të prodhojë një përqindje të energjisë nga burimet e ripërtërishme. Në këtë fushë, Kosova duket të ketë goxha shumë probleme t’i plotësojë. Plani për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit dështoi i tëri. Në Deçan po vazhdohet me ndërtimin e hidrocentraleve, por shqetësuese mbeten dëmet e lëna pas në natyrën e bjeshkëve të kësaj komune, për çka ngriti në këmbë të gjithë mbrojtësit e ambientit në Pejë që të mos lejonin ndërtimin e hidrocentraleve në grykën e Rugovës.

Ashtu edhe si viteve të kaluara, po ashtu edhe siç pritet të ndodhë edhe më 2017, Doganat vazhduan ta mbajnë të gjallë buxhetin e shtetit. Më 2016, tejkaluan parashikimet, duke arritur në një miliard të hyra, pavarësisht ndikimit negativ nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Kjo agjenci bashkë me ATK-në, po planifikohet të nisin punën si një trup e vetme nga 2017-ta, mirëpo kundër kësaj iniciative dolën BE-ja dhe FMN-ja, që kërkuan shtyrjen e procesit deri më 2018. Doganat ka disa muaj që mbeten pa drejtor. Ndërkaq ATK-së i dolën probleme të mëdha me dënimet nga gjykata dhe me një varg arrestimesh, për shkak të mosmbledhjes së të hyrave nga disa sektorë, ku ishin të përfshirë edhe inspektorë të saj në këto aktivitete të paligjshme. Përpos suspendimeve, nuk dha askush përgjegjësi për këto veprime. Ndërkaq u konstatua se vlera e dëmeve nga faturat dhe kompanitë fiktive ka arritur në 25 milionë.

Edhe këtë vit, të drejtat e konsumatorëve u shkelën disa herë më radhë. Nuk ishin të pakta rastet kur konsumatorët blenë produkte me afat të skaduar, apo të prishura brenda edhe pse afati ishte në rregull duke ua rrezikuar shëndetin konsumuesve të tyre.

Sektori i bujqësisë edhe këtë vit kishte mbështetje të madhe nga qeveria. U dhanë shumë miliona për subvencione dhe grante, por raporti i progresit adresoi shqetësimin se përkundër mbështetjes ka disbalancë të madhe me produktivitetin, ndërsa rrezik po vazhdon të mbetet humbja e tokës së punueshme. Gjithashtu mbi 200 gjedhe ngordhën nga sëmundja e gungave, duke u shkaktuar bujqve probleme mjaft të mëdha.

Gjithashtu nuk arriti të ndalej as kontrabanda, pavarësisht aksioneve të ndërmarra për luftimin e kësaj dukurie. Përpos kontrabandimit të derivateve të naftës dhe disa produkteve për të cilat paguhet akcizë më e shtrenjtë, nuk mungoi as kontrabandimi i gjedheve nga Serbia.

Ekonomia u përball edhe me mungesë të madhe të punëtorëve të kualifikuar. Kompanitë vazhduan të paguajnë para të majme për ekspert të fushave të ndryshme, pasi në Kosovë nuk gjendeshin. Madje as milionat e dhëna për ndërtim të autostradës nuk u shfrytëzuan për profesionalizimin e punëtorëve në disa sektorë të ndërtimtarisë. Në mungesë të tyre, kompania ndërtuese të autostradës për Shkup, solli ekspertë nga Rumania. Me këtë kompani, i dolën probleme jo pak të vogla qeverisë, pasi kjo e fundit nuk kishte mjete të paguante punët e kryera nga kompania, për çka edhe kërkoi uljen e ritmit të punës në ndërtimin e këtij segmenti.

Pash shumë kohë bllokade, u rikthye procesi i privatizimit në vend, por problemet e shumta mbeten të pazgjidhura. Nuk u gjet asnjë zgjidhje për punëtorët e fabrikës së Tubave që mbajtën kohë të gjatë grevë, pasi fituan rastin në Kushtetuese. Kjo agjenci edhe pse hoqi shumë uzurpatorë nga pronat e shitura, nuk arriti të gjithat t’ua kthejë blerësve në posedim, pasi nuk munguan kërcënimet e uzurpatorëve drejt blerësve. Kjo agjenci sipas raportit të progresit, është përballur me ndikim enorm nga politika.

Pas 40 vjetësh, dora e investimeve pritet të hyjë në hekurudha. Nëpërmjet fondeve të ndara, pjesa dërrmuese e të cilave është kredi afatgjate Kosova do të rregullojë gati nga fillimi të gjithë trasenë hekurudhore nga Hani i Elezit deri në Leshak. Përpos kësaj pjese, Kosova po planifikon që të marrë kredi për rregullim të hekurudhës për në Podujevë dhe dy të reja në Gjilan dhe Gjakovë, si dhe atë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, por se këto varen nëse dy shtetet pajtohen për të bërë financimin nga ana e tyre. Gjithashtu plan ka edhe për ndërtimin e hekurudhës që lidh Prishtinën me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ende pa e përfunduar autostradën e dytë, Arbën Xhaferi, Kosova do të nisë ndërtimin edhe të autostradës së tretë, Prishtinë-Gjilan-Konçul. Ky projekt që u mirëprit nga kryetarët si shqiptarë ashtu edhe serbë të komunave të Anamoravës, pritet të kushtojë rreth 260 milionë euro, ndërsa pjesa kryesore do të investohet përmes fondeve të marra hua.

Qeveria e Kosovës ndryshoi ligjin dhe shtyu edhe për një vit afatin për shlyerjen e borxheve të vjetra.

Në vend se të përpiqeshin t’i zgjidhnin kontestet në mënyrë miqësore, zyrtarë të institucioneve kanë më shumë interesim që të njëjtat t’i përcjellin në për gjykata, si vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke rrezikuar humbjen e miliona eurove. Brenda vitit Kosova humbi dy raste në arbitrazh. Disa milionë shkuan për të paguar kompaninë austriake të prodhimit të pasaportave biometrike. Ndërsa Telekomi i Kosovës do t’i paguajë partnerit të dikurshëm, Zmobile 30 milionë euro bashkë me ofrimin e një numër shërbimesh. Një proces tjetër që e pret vendin është ai i padisë nga kompania Axos për shkak të ndërprerjes së privatizimit të Telekomit.

Procesi i fiskalizimit edhe këtë vit nuk u krye i tëri. Pavarësisht se u licencua edhe një kompani e re për shpërndarjen e arkave fiskale, e njëjta nuk arriti të niste punën në kohë.

Eksporti i vendit u godit shumë kur menaxhmenti i Ferronikelit vendosi të ndërpriste prodhimin për shkak të ndikimit të krizës botërore të çmimeve. Me muaj të tërë, punëtorët mbeten pa punë e paga, derisa qeveria arriti që një pjesë të kërkesave të kësaj ndërmarrjeje t’ia plotësojë, duke e rikthyer të njëjtën në funksion sërish.

Një nga ndërhyrjet eklatante në punën e institucioneve të pavarura ishte ai i ministrit të financave, Avdullah Hoti në Agjencinë Qendrore të Prokurimit ndaj drejtuesve të së cilës, bëri presion me muaj të tërë. Hoti kishte kërkuar me ngulm nënshkrimin e disa kontratave të furnizimit, të cilat ishin kundër ligjeve në fuqi. Shoqëria civile kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të organeve të gjyqësisë. I njëjti u përfol për ndërhyrje të vazhdueshme edhe në punën e Doganës.

Shoqëria civile kërkoi me ngulm nisjen e hetimeve nga prokuroria rreth monopolit të kontrollit të homologimit të automjeteve. Ministria e Infrastrukturës bëri përpjekje të fuste konkurrencën, por u bllokua nga një kontratë e nënshkruar në kohën e ish-ministrit Limaj. Rreziku se lënda mund të shkonte në arbitrazh e stopoi mundësinë që të hapej konkurrenca në këtë fushë, ashtu siç u hap në atë të kontrollit të mjeteve që punojnë më gaz. Sipas të dhënave, qytetarët që kanë importuar automjete kanë shpenzuar mbi 2 milionë euro për homologim të veturave.

Pas shumë vonesash, Kosova dhe Shqipëria arritën të finalizojnë linjën 400 kilovoltëshe mes dy vendeve, por nuk hyri në punë asnjëherë, pasi pengesë ishte Serbia. Kjo e fundit, edhe pse ishte arritur moti marrëveshja në Bruksel për energjinë, vazhdoi bllokadën e anëtarësimit të Kosovës në rrjetin evropian të transmisioneve. Derisa këtu nuk u gjet zgjidhja në telekom, palët u morën vesh. Me marrëveshjen e arritur, Kosova merrte kodin telefonik ndërsa Serbia operatorin e vet. Shumëkush konsideroi se Kosova humbi shumë me këtë marrëveshje, pasi kodi nuk është shtetëror por gjeografik dhe i dhënë në emër të Serbisë. Në mungesë të kodit, operatorët kanë paguar deri në 200 milionë euro në shfrytëzimin e kodeve të huaja.

Për 20 vjet Kosova nuk do të ketë asnjë mundësi të hapë një aeroport tjetër për shërbime komerciale, derisa kontrata e koncesionit mes qeverisë dhe koncesion marrësit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës të përfundojë. Kjo shkaktoi probleme të shumta për Aeroportin e Gjakovës, i cili u mor nën menaxhim nga qeveria, por e ardhmja e tij ende mbetet në mjegull.

Si rrallëherë, buxheti i vendit u përball me kundërshtime të mëdha mes dy partive në pushtet. PDK-ja në asnjë mënyrë nuk u pajtua me përmbajtjen e tij. Frika se kjo parti do të votonte kundër, siç edhe parlajmëroi, nuk e solli buxhetin e vendit për votim deri më 22 dhjetor. PDK-ja, edhe pse pati shumë vërejtje, tha se do ta votojë, por do të bëjë një varg ndryshimesh mes dy leximeve. Me këtë buxhet, mbi 50% e buxhetit do të shkojë në investimet kapitale, kryesisht infrastrukturë. 


Ekonomia në vendnumërim by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...