Foto: Koha

Gjykata e Prokuroria s’po gjejnë rrugë për t’u ofruar qytetarëve sistem të denjë [video]

31 Dhjetor 2016 - 20:01      

Vonesa në zgjidhjen e lëndëve, qindra mijëra të grumbulluara, ankesa për mungesë kushtesh, mungesa kuadrosh, akuza e dënime për korrupsion edhe për vet figurat e këtij sistemi, kanë vënë seriozisht në pikëpyetje qëllimin që nga i njëjti, qytetari të presë drejtësi dhe barazi para ligjit.

Viti u karakterizua me vendime gjyqësore e ndjekje penale, disa prej tyre të profilit të lartë por edhe këtu pati ankesa; se janë raste selektive dhe se Prokuroria nuk po ndjek raste të mëdha të krimit e korrupsionit, raporton KTV.

Kosova renditet në vendin e 103 nga 168 shtete sa Transperency International mat shkallën e korrupsionit.

Vërtetimi i dënimit të Grupit Drenica, në pjesën e dytë të 2016s ishte një prej top ngjarjeve në drejtësinë në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku është liruar nga akuza për vrasje për të cilën ishte dënuar nga shkalla e parë me 12 vjet burgim.

Megjithatë, Apeli e ka dënuar me 7 vjet burgim për përgjegjësi komanduese.

Ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi është dënuar me burgim unik prej 10 viteve për Drenica 1 dhe 2.

Me burgim u dënuan edhe vëllezërit Demaku, njëri deputet i Kuvendit që dha dorëheqje nga kjo pozitë dhe tjetri nga pozita e kryetarit të Komunës së Drenasit, çka e dërgoi këtë komunë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Një tjetër figurë kyçe e UÇK-së nis përballjen me drejtësinë në 2016 por jo për krime lufte por për krim të organizuar e korrupsion.

Azem Syla doli në fund të vitit para Gjykatës për akuzat ndaj tij dhe një grup prej 38 personash për keqpërdorime milionëshe me tokat në Kosovën e pasluftës dhe tha se nuk e ndjen veten fajtor për ndjekjen penale që po i bëhet.

Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, u dënua
me 37 vjetëve.

Me dënim me 3 vjet burgim dhe 3 vjet mosushtrim të funksioneve publike, u dënua edhe ish-shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Hysni Hoxha për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse gjykata tha se ai me vendimet e tij favorizoi një kompani të caktuar në fitimin e një tenderi.

Në Themeloren e Prishtinës, me tri vite burg u dënua edhe ish-prokurorja nga Mitrovica, Vahide Badivuku, vendim i cili u la në fuqi nga apeli.

Dy ish-ministra nga radhët e LDK-së në rigjykimin e tyre, u dënuan vetëm me burgim me kusht, ani pse dëmi i shkaktuar buxhetit u llogarit nga Gjykata mbi 300 mijë euro.

Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Armond Morina dhe Nehat Fejza u dënuan me nga 1 vit burgim me kusht. Morina e Fejza gjithashtu obligohen t’i kthejnë ministrisë afër 300 mijë euro.

Një ekip i veçantë prokurorësh vendës e ndërkombëtarë pushuan hetimet për korrupsion e mitmarrje të gjyqtarëve të EULEX-it, duke thënë se nuk gjeten prova të majftueshme për këtë.

Për krime lufte, Gjykata e dënoi edhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe udhëheqës i partisë serbe, SDP Oliver Ivanoviq dhe e dënoi me 9 vjet burgim derisa rasti i tij është në Gjykatë të Apelit.

Kjo Gjykatë gjatë këtij viti ia konfirmoi dënimin shtetasit të Serbisë, Sllobodan Gavriq duke e dënuar për terrorizëm, megjithëse ia uli dënimin në 11 vjet burgim.

Nga akuza për shkaktimin e lëndimit të lehtë trupor u lirua kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe deputeti Rexhep Selimi. Ata kanë qenë të akuzuar për shkaktimin e lehtë trupor bërë deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Në 2016 nga akuzua për sulm ndaj eskortës së kryeministrit u lirua edhe aktivisti i VV-së, Trim Gashi.

Opinioni u trondit nga përgjimet që u publikuan në skandalin ku kryeprotagonist ishte Adem Grabovci, që u largua nga shefi i deputetëve të PDK-së por jo edhe nga pozita e deputetit.

Prokuroria nisi hetimet ndaj tij dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së, përfshirë shefin e deputetëve të PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-ministri Besim Beqaj, kryetari i degës së PDK-së Njazi Kryeziu dhe zyrtarë të tjerë.

Por, gjatë 2016s si asnjëherë më parë u mbyllen gjykime për gazetarë. Së paku 3 gjykime të nivelit të lartë u mbyllen për publikun, e më skandalozi ishte vendimi i gjyqtarit Shasivar Hoti që ta mbyll gjykimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandët Lumezi që erdhi në këtë post me shumë premtime për luftim të krimit e korrupsionit, në vitin e parë të punës së tij e pranoi vet se këto vepra penale nuk po ndiqen sa duhet nga prokurorët.

Vet Lumezi nuk e mbylli rehat këtë vit, pasi që edhe në shtëpinë e tij ndodhi një vepër penale.

Megjithëse me përkujdesje të policisë përgjatë 24 orëve, kjo nuk u mjaftoi personave të panjohur që të futen brenda shtëpisë së tij e t’ia vjedhin një telefon mobil.

Rasti zgjoi reagime të shumta, ndërsa policia pasi suspendoi dy zyrtarë policor, tha të ketë arrestuar të dyshuarit për këtë vepër.

Me ligjin do të vazhdojnë të përballen edhe në 2017; Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, deputeti Fatmir Limaj në rastin e Ministrisë së Transportit, deputetët e Kuvendit të Kosovës për gjuajtje të gazit lotsjellës, disa nga zyrtarët më të lartë të Vetëvendosjes për një rast të vjetët të rrokullisjes së veturave të EULEX-it, ish-ministi Ferid Agani dhe shumë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë e mjekë në një nga skandalet më të mëdha – atë të rastit Stenta, deputeti i LDK-së Naser Osmani për vepra penale që lidhen me privatizimin në Kosovë, Ukë Rugova për skandalin e vizave e deputeti Naser Osmani për akuza që lidhen me privatizimin në Kosovë.

Viti në drejtësinë në Kosovë u përmbyll nën shumë dyshime e akuza për udhëqësit e drejtësisë në vend, kur në Qendrën e Paraburgimit vdiq aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Dehari, sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, ishte vetëvrarë, e një raport i dy ekspertëve të jashtëm të angazhuar nga familja, nxirrte konkludime të kundërta, se Dehari kishte vdekur dhunshëm.

Prokuroria Speciale e përmbylli këtë rast me aktakuzë për terrorizëm ndaj Frashër Krasniqit, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Adea Batusha. Për Petrit Ademin dhe të ndjerin Astrit Dehari, Prokuroria ka pushuar hetimet.

Vitin 2017, sfida të mëdha do ta presin drejtësinë në vend.

Ky vit, megjithatë, pritet të kaloj në shenjë të Gjykatës Speciale për Kosovën, që tanimë është në kompletim e sipër, për të vazhduar me ngritjen e aktakuzave.


Gjykata e Prokuroria s’po gjejnë rrugë për t’u... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...