
31 Dhjetor 2016 - 19:17
Problemet me demarkacionin, të trashëguara nga 2015-ta, i patën që nga dita e parë e janarit të 2016-ës, raporton KTV.
Qysh në ditët e para të janarit, opozita doli në rrugë për të protestuar, protestë që përfundoi me dhunë mes policisë e protestuesve.
Pushteti, pavarësisht që kishte mbi 80 vota numerikisht, ato nuk i pati edhe efektivisht, meqë për një vit të tërë nuk arriti ta ratifikojë marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si obligim ndërkombëtar tashmë i marrë nga Kosova dhe kusht për liberalizimin e vizave.
Përveç kundërshtimeve të opozitës, kundër kësaj marrëveshjeje ishin edhe plot deputetë të LDK-së e PDK-së.
Por, pavarësisht problemeve, proceset ecnin dhe koalicioni qeverisës vazhdonte me agjendën e planifikuar.
Hashim Thaçi, nga krahu i djathtë i Isa Mustafës, bëhet president i republikës, por në karrigen e të parit të shtetit nuk arriti të ulej pa probleme.
Në sallën ku Thaçi fitoi një mandat 5-vjeçar si shef i shtetit, opozita hodhi gaz lotsjellës në tentim për ta parandaluar zgjedhjen e tij, e jashtë rrethojave të Kuvendit, protesta e nisur tri ditë më parë, tashmë kishte përshkallëzuar.
Edhe bota e njihte Thaçin si president i gazit.
Ishte betuar se do të jetë president i të gjithëve, por vazhdimisht ka thumbuar opozitën, që asnjëherë dhe asnjë përpjekje nuk e bëri t’i ulte në një tryezë me liderët e LDK-së e PDK-së për dialog, për të dalë nga kriza politike e institucionale.
Por, për të përmirësuar imazhin e vet, Hashim Thaçi kishte vendosur që pranim dorëzimin e detyrës ta bënte në një mënyrë më të veçantë.
Ai nën qiellin e hapur dhe në praninë e rreth njëmijë mysafirëve, prej të cilëve ishin vetëm dy presidentë, zyrtarisht mori mandatin si i pari i shtetit.
Ndërkohë, kundërshtimi i marrëveshjeve nga opozita vazhdonte. Madje protestë si asnjë vit më parë u bë edhe në përvjetorin e tetë të pavarësisë.
Megjithatë, edhe opozita nuk arriti të ishte unike.
Problemet mes tri partive opozitare dolën në pah dhe kështu gjysma e vitit ata nuk i gjeti të bashkuar.
Lëvizja vazhdoi me kundërshtimet e njëjta brenda sallës plenare, por AAK-ja e Nisma kishin vendosur të hiqnin dorë nga gazi lotsjellës.
Më vonë, të tria partitë kishin vendosur ta bojkotonin punën e Kuvendit, bojkot që zgjati disa muaj.
Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave e ktheu në seancë solemne opozitën pas shumë kohësh.
3 gushti ishte i nxehtë, ditë kjo kur në sallën alternative i përballën argumentet ekspertët e pavarur e opozita me ekspertët e komisionit shtetëror për demarkacion që Isa Mustafa tha se triumfuan këta të fundit.
Prandaj i sigurt shkoi në seancën e 1 shtatorit se votat do t’i kishte, por sërish vetë u tërhoq, për të mos e kthyer asnjëherë.
Vdekja e njërit nga të arrestuarit për sulmin e gushtit në Kuvendin e Kosovës, që ishte aktivist i Vetëvendosjes, ka kthyer debatet e nxehta në Kuvend.
Vetëvendosje konsideronte se Astrit Dehari u vra nga shteti, prandaj kërkonin sqarime përmes një seance plenare, nënshkrimet për të cilën nuk arritën t’i merrnin asnjëherë.
Por, ndryshe nga deputetët, rreth 24 mijë qytetarë patën vullnetin të nënshkruheshin në peticionin e shoqërisë civile, përmes të cilit kërkohej drejtësi për Astritin.
Peticioni nuk u mor parasysh, por megjithatë një seancë për Deharin u mbajt, por vetëm pas vullnetit të PDK-së e LDK-së, të cilat vetë i mblodhën nënshkrimet.
Pos akuzave të rrepta mes vete, nuk prodhoi asgjë kjo seancë, njëjtë sikurse seanca për murin në veri, që i përplasi tepër të dyja blloqet, por rezultate nuk pati.
Ajo që mund të konsiderohet si sukses i partive në pushtet, ishte kalimi i buxhetit, meqë probleme për këtë ligj nuk patën vetëm me tri partitë opozitare, por më shumë mes vete PDK-ja e LDK-ja.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Viti i demarkacionit by kohanet
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...