“Autostradat e Kosovës janë konkurruese edhe me ato të vendeve të BE-së”

31 Dhjetor 2016 - 12:56      

Konkurrente me ato të vendeve të Bashkimit Evropian i ka cilësuar kryeministri Isa Mustafa, autostradat e Kosovës.

Sot, ai, bashkë edhe me presidentin Hashim Thaçi, me kryeparlamentarin Kadri Veseli, me deputetë e me drejtues tjerë institucionesh qendrore e lokale ka marrë pjesë në inaugurimin e një segmenti të autostradës “Arbën Xhaferi”. Atje ishin edhe zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Colleen Hyland, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç.

“Sot inauguruam 20 kilometrat e para të autostradës ‘Arbër Xhaferi’. Është ky drejtimi rrugor 6 në kuadër të rrjetit të transportit të Evropës Juglindore e cila lidh korridoret 8 dhe 10 në Maqedoni me Prishtinën, duke i integruar qytetet e rajonit dhe qendrat ekonomike në rrjetin rajonal të transportit”, ka shkruar Mustafa në Facebook, përcjell Koha.net. “Autostradat e Kosovës janë konkurruese edhe me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, janë vepra të qytetarëve të Kosovës, të financuara nga buxheti i tyre. Autostradat tona, si edhe kjo sot po e zbukurojnë tokën e mrekullueshme të Kosovës! Urime për këtë vepër të madhe në këtë Natë të Vitit të Ri 2017!”, ka shtuar më tej Mustafa.

Në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë, thuhet se aktualisht është hapur për qarkullim 1/3 e Autostradës Prishtinë-Han i Elezit. Segmenti i autostradës është i projektuar sipas standardeve transevropiane për autostrada me shpejtësi kufizuese prej 120 kilometrash.

Përgjatë segmentit janë dy nyje lidhëse në Konjuh që është edhe lidhja me rrugën nacionle Lipjan-Shtime dhe në Babush lidhja me rrugën nacionale Prishtinë-Hani i Elezit.

Janë të ndërtuara 8 mbikalime dhe 7 nënkalime me rrugë paralele me qëllim të lëvizjes së papenguar të qytetarëve të zonave përreth autostradës.
Projekti i ndërtimit të autostradës është duke vazhduar në segmentin Babush-Ferizaj deri në kyçjen në Bibaj dhe kyçjen në Doganaj dhe disa pjesë të segmentit afër Kaçanikut.

Në bazë të planit dinamik, deri në fund të vitit 2017 pritet që këto dy nyje lidhëse të përfundojnë dhe të hapen për qarkullim 42 kilometra të autostradës.

Përfundimi i kësaj pjese do të shkurtojë në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe do të shkarkojë rrjetin ekzistues rrugor nga ngarkesat e trafikut.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...