Thaçi: Kosova nuk e meriton këtë qasje të padrejtë të Rusisë

31 Dhjetor 2016 - 10:56      

Duke folur për qasjen e Rusisë në raport me Kosovën, presidenti Hashim Thaçi tha se pret ndryshim në këtë drejtim.

Sipas Thaçit, marrëdhëniet e mira mes Moskës dhe Beogradit nuk janë pengesë që edhe Kosova dhe Rusia të kenë marrëdhënie korrekte dhe konstruktive, veçanërisht tani kur po punohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi në prag të fillimit të një procesi të rëndësishëm të pajtimit. Unë mendoj se është koha e duhur që edhe Moska të fillojë të reflektojë për Kosovën, të respektojë vullnetin e popullit të Kosovës dhe, në kohën që ata vlerësojnë, të marrin vendimin për njohjen e realitetit kosovar”, vlerësoi Thaçi, në një intervistë për Anadolu Agency.

Thaçi rikujton se Rusia ka qenë pjesë e të gjitha përkushtimeve ndërkombëtare për Kosovën, si në Rambuje, ashtu edhe si pjesë e KFOR-it.

“Gjithashtu ka marrë pjesë në procesin e negociatave në Vjenë, në ekipin e presidentit të Ahtisarit, si dhe ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë. Prandaj Kosova nuk është vend armik i Rusisë. Kosova mund të luajë një rol dinamik të paqes dhe stabilitetit dhe mendoj se ndryshimi i qasjes nga Moska për Kosovën do të ishte kontribues pozitiv për rajonin gjithashtu”, vazhdoi Thaçi.

Thaçi vlerëson se tani është koha që raportet mes Kosovës dhe Rusisë të vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe jo përmes linjave indirekte. Po ashtu, sipas Thaçit, tani është koha të hiqen paragjykimet dhe kjo do të ndihmojë Rusinë të kuptonte gjendjen në Kosovë dhe vendimin e drejtë që do të mund ta merrte për Kosovën.

“Kurrë në histori Rusisë nuk i ka ndodhur diçka e keqe nga Kosova. Prandaj, Kosova nuk e meriton këtë qasje të padrejtë të Rusisë ose ndëshkim”, shprehet Thaçi.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...