Shqipëria arreston një shtetas të Kosovës të dënuar për terrorizëm

29 Dhjetor 2016 - 23:34      

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas të Kosovës në kufirin Morinë-Kukës, i kërkuar nga autoritetet në Kosovë për terrorizëm.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se “ata kanë bërë lokalizimin dhe kapjen e një personi në kërkim, shtetas i Kosovës: Enis Begolli, 30 vjeç, lindur dhe banues në Mitrovicë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës për “terrorizëm”, pasi që ka qenë i dënuar nga ky shtet me 4 vite burg, si i dyshuar se ka qenë luftëtar në Siri si pjesëtar i ISIS-it”, thuhet në njoftim.

Policia e Shqipërisë tha se pas kryerjes së procedurave ligjore, shtetasi i Kosovës i'u është dorëzuar strukturave të policisë së Kosovës nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Morinës në Kukës.

Në prill të këtij viti, Enis Begolli nga qyteti i Mitrovicës u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe u dënua më katër vjet burgim, ndërsa është në pritje të vërtetimit të dënimit nga Gjykata e Apelit.

Enis Begolli u arrestua në shtator të vitit 2014 nën aktakuzat se “në shtator të vitit 2013 ka udhëtuar për në Siri përmes Turqisë, dhe është vendosur në Alepo ku ka marrë pjesë në një kamp stërvitor duke iu bashkuar formacioneve të ISIS-it, për tre muaj”.

Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në konfliktet në Lindjen e Mesme. Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte. Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

Autoritetet në Kosovë thonë se me gjithë arritjet në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, trajtimi i tij mbetet sfidë e vazhdueshme. Vetëm gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka trajtuar 47 raste që kanë të bëjnë me terrorizëm duke arrestuar 33 persona dhe janë ngritur 30 kallëzime penale ndaj 78 individëve.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...