Sot, “Koha Ditore” festive: Sërish një supergazetë [video]

29 Dhjetor 2016 - 14:42      

Edhe këtë vit me formatin e gazetës të së dielës, me përmbajtje tradicionalisht ekskluzive dhe me dhurata për lexuesit, vjen numri festiv i “Kohës Ditore”.

Përveç një kalendari me ngjyra, “Koha Ditore” edhe këtë fundvit lexuesve të vet besnikë u dhuron një gazetë përplot rrëfime të veçanta.

Si edhe viteve të kaluara, në shkrimet e “Kohës Ditore” festive nuk do të gjeni kronologji të thata që numërojnë ftohtë ngjarjet e një viti që po e lëmë pas e as llafet e politikanëve që na e bënë këtë vit të tillë çfarë ishte – plot dështime e dëshpërime!

Në 196 faqe gazetë…

… “Koha Ditore” festive vjen me kolumnet e kolumnistëve të rregullt dhe redaktorëve të gazetës, me reportazhet për jetën dhe punën e kosovarëve, me profilet e njerëzve të rëndomtë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë dhe arrijnë suksese me gjithë rrethanat e rënda.

Pa intervista e deklarata politike, pa promovim të pushtetarëve, pasqyrën e të jetuarit në Kosovë, për të mirë a për të keq, “Koha Ditore” e sjell përmes kolumneve të redaktorëve dhe kolumnistëve të rregullt: Agron Bajrami, Flaka Surroi, Valbona Mehmeti, Brikenda Rexhepi, Elmaz Isufi, Veton Surroi, Augustin Palokaj, Adriatik Kelmendi, Lumir Abdixhiku, Halil Matoshi, Lutfi Dervishi, Boshko Jakshiq, Bekim Kupina, Granit Kurti, Sami Kçiku, Drenusha Zajmi, Arbana Mjekiqi, Visar Loci e Nita Lleshi.

Rrëfimet për sukseset historike…

“Koha Ditore” festive sjell storiet për personalitetet dhe ngjarjet që shënuan vitin 2016, për të mirë a për të keq, të shkruara nga ekipi i reporterëve të gazetës.

Lexoni rrëfimin e vitit për suksesin historik të Majlinda Kelmendit: Si e inspiroi një komb të tërë xhudistja nga Peja, që fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Rio?

Reportazhin nga Shkupi, vendlindja e Shenjtores shqiptare, Nënë Terezës, ku maqedonasit përpiqen ta përvetësojnë humanisten e njohur.

Rrugëtimin e dy shokëve, që bashkë me “Shok”, shkuan në Hollywood.

Dhe suksesin e anëtarësimit të vendit në FIFA e UEFA.

…dhe dështimet politike!

Ngjarjet politike që shënuan vitin: lexoni për Presidentin e gazit, debaklin me demarkacionin, vazhdimin e izolimit evropian, kodin me defekt të dialogut, dhe kronikën e një vdekjeje në duar të shtetit.

Lexoni edhe për “Pronton”, që gjatë vitit 2016 doli të jetë skandali pa konkurrencë.

Si është jeta e familjarëve të personave të zhdukur, të cilët qe 17 vjet presin informatat për fatin e të dashurve të tyre dhe vendndodhjen e eshtrave.

Pse Ushtria e Kosovës për krijim pret lejen nga Beogradi?

Kush dhe si keqpërdori statusin e veteranëve të luftës?

Lexoni edhe përkujtimin për dështimin më të madh të vitit – rezultatin katastrofik të nxënësve dhe sistemit arsimor të Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA, vonesat e Qeverisë në zgjidhjen e çështjes së “Trepçës”, dhe pse lufta kundër korrupsionit edhe këtë vit ishte në nivelin zero.

Në faqet e botës lexoni:

Pse viti 2016 do të mbahet në mend një kohë të gjatë si një vit që botën e zhyti në rrëmujë të paparaparë?

Cili është efekti i zgjedhjes së Donald Trumpit për president të Amerikës?

Kush thotë se Shteti Islamik vazhdon të jetë kërcënim edhe më i madh në vitin 2017?

Dhe pse lufta e Sirisë nuk pushon?

Pse 2016-shi ishte vit i errët për Bashkimin Evropian, dhe si mbeti Angela Merkel mbrojtëse e fundit e Perëndimit liberal?

Lexoni edhe për fuqinë e xhudistit bombardues Putin, ethet britanike pas daljes nga BE-ja, dhe shthurjen e Turqisë nën pushtetin e Erdoganit.

Plus rrëfime nga mbarë Kosova

Për Marigonën e Njësisë Speciale, frikën që u shfaqet edhe në ëndërr banorëve të luginës së Hades, të verbrit që për çdo ditë e sfidojnë jetën në vendkalimet e këmbësorëve, rrëfimin e profesorit të diplomacisë që mbijetesa e detyroi t’i kthehet zanatit të zdrukthëtarit, si dhe historinë e shpikësit të gjeneratorit me dridhje.

Fotoreporterët e “Kohës Ditore”, Alban Bujari dhe Driton Paçarada, sjellin fotografitë e vitit dhe dy fotoreportazhe për fundvit, ndërsa Jeton Mikullovci sjell katër faqe me karikaturat e tij të përzgjedhura të vitit.

Në faqet relaksuese MesPërMes

Lexoni për takimin e rastësishëm në stacionin e trenit në Dartford, që ndryshoi përgjithmonë historinë e muzikës.

Aty do të gjeni edhe:

• Filmat më të shumëpritur të vitit 2017,
• Dhjetë shkrimtarët më me ndikim në zhanrin e fantastikës shkencore,
• Dhjetë mashtrimet shkencore, të cilat bota ende i beson,
• Cilët ishin spiunët më të rrezikshëm në botë,
• Personalitetet e famshme që bota i humbi gjatë vitit 2016.

Në MesPërMes gjeni edhe horoskopin për vitin 2017, recetat festive të Lindës, si dhe tregimin e shkurtër për heroin, i cili donte ta shpëtonte botën.

Nga kultura

Lexoni për “Home”, filmin nga Kosova për refugjatët e botës.

Për sukseset e Ramë Lahajt, tenorit të skenave prestigjioze botërore që vjen nga Kosova, një vend që nuk ka operë!

Për pianisten elitare, Ardita Statovci, dhe Alban Ukajn, artistin e zemëruar të gjeneratës së pasluftës.

Dhe për Kushtrim Hoxhën, aktorin që theu kufijtë për të realizuar një ëndërr në Amerikë.

Sporti festiv i “Kohës” sjell:

Të gjitha medaljet e Majlinda Kelmendit,
Ndeshjen në Gërmi, që vuri themelet e futbollit të pavarur të Kosovës,
Lojtarin e Barcelonës që luan për Përfaqësuesen e Kosovës,
Dashurinë e tifozëve për kafshët e egra,
Muhamed Aliun, legjendën që kaloi në amshim, njeriun që inspiroi gjenerata të tëra boksierësh,
Tragjedinë e klubit brazilian që bashkoi botën e futbollit.

Si dhe rrëfimet nga bota e sportit botëror: prej sporteve nga më të çuditshmet, deri te ngjarjet që shënuan vitin 2016.

“Koha Ditore” festive vjen edhe me 14 faqe enigmatikë, që shoqëron përmbajtjen ekskluzive për të gjithë familjen!

Në një gazetë, një vit i tërë, dhe shumë më shumë!

GËZUAR 2017!


KOHA DITORE FESTIVE by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...