EPP uron LDK-në për 27-të vjetorin e LDK-së

24 Dhjetor 2016 - 15:46      

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), Joseph Daul, me rastin e përvjetorit të 27-të LDK-së, ka dërguar një mesazh urimi.

“Me rastin e përvjetorit të 27-të të partisë suaj, jam shumë i lumtur t’ju dërgoj urimet dhe përgëzimet më të mira. EPP-ja është krenare që ka në gjirin e saj një parti si LDK-ja, partia e parë në Kosovë pas rënies së komunizmit”, citohet të jetë shkruar në urimin e EPP-së.

LDK ka përcjellë pjesë tjetër të letrës së EPP-së:

“Që nga ajo kohë, ju e keni dëshmuar veten si një parti e përgjegjshme, duke kërkuar dialog konstruktiv dhe duke u përqendruar në zgjidhje konkrete. Në këto kohëra të vështira në të cilat po jetojmë, ju duhet të vazhdoni ta ndiqni këtë rrugë. Ju duhet të vazhdoni ta qeverisni vendin në mënyrë të përgjegjshme dhe të punoni për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tuaj.

Siç e them gjithnjë, Bashkimi Evropian kurrë nuk do të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit. Ju jeni pjesë e familjes evropiane, dhe ne mezi presim t’ju urojmë mirëseardhje. Por që kjo të jetë e mundur, duhet akoma punë. Duhet të vazhdoni të jeni të përqendruar në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët tuaj, në luftimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Lidershipi dhe qeverisja e mirë që kryeministri Mustafa dhe LDK-ja e kanë dëshmuar, janë fondamentale për këtë proces.

Tanimë është shënuar mjaft progres: Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian hyri në fuqi më herët gjatë këtij viti; keni përparuar drejtë plotësimit të kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave; dhe Kosova ka dëshmuar rritje të fuqishme ekonomike duke e fituar besimin e investitorëve dhe të organizatave ndërkombëtare financiare.

Por, përpjekjet tuaja nuk duhet të ndalen asnjëherë. Puna e juaj, me përkrahjen e familjes së EPP-së, duhet të vazhdojë.

Mezi pres ta vizitoj Kosovën në të ardhmen e afërt, dhe edhe njëherë ju uroj të gjitha të mirat për përvjetorin tuaj të 27-të”, shkruan presidenti i EPP-së, Joseph Daul.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...