24 Dhjetor 2016 - 14:38
Sipas Bahtirit të AKR-së, PDK-ja nuk e ka problemin tek muri, por te koalicioni i tij me Vetëvendosjen. Kjo sepse, sipas tij, ai do të jetë fitues edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Kjo nuk është për murin, por për Agim Bahtirin, sepse PDK-ja po do me çdo kusht të më rrëzojë, por kot e ka. Unë i jap përgjegjësi vetëm qytetarëve, e jo Kadri Veselit”, tha Bahtiri, raporton Veriu.info.
Kujtojmë se mbrëmë, në një fjalim të gjatë që e ka mbajtur në formë të replikave me deputetët e opozitës, në seancën që është thirrur nga AAK-ja për të diskutuar për murin ilegal në Mitrovicën e Veriut, Veseli, ka zbuluar se kishte marrë një telefonatë direkte nga Brukseli, siç ka thënë nga zyrtarë të lartë të BE-së, duke i thënë se ka një marrëveshje për një mur në Mitrovicë dhe se partia e tij duhet ta përkrahë.
Për këtë ai e akuzoi kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri për marrëveshje me Goran Rakiqin. Ka përmendur edhe një paraqitje publike të Bahtirit, më 9 dhjetor kur kishte thënë, siç e citoi Veseli “kemi bërë marrëveshje fenomenale për murin me shkallë 80 centimetra”, raporton Koha.net.
I atypëratyshëm ka qenë reagimi i ish-kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që tha se Bahtiri nuk ka qenë pjesë e delegacionit, por është ftuar vetëm të jetë prezent, transmeton Koha.net.
“Agim Bahtiri nuk ka qenë në bisedime me Rakiqin fare për çështjen e murit. Në bisedime me Rakiqin ka qenë zonja Edita Tahiri, që e ka pasur në delegacion Arben Çitakun dhe e ka ftuar Agim Bahtirin, që nuk ka të drejtë të flasë për atë pjesë, për fat të keq për shkak të Planit të Ahtisaarit”, ka thënë Kurti, raporton Koha.net.
Ai gjithashtu ka treguar se kur është takuar Agim Bahtiri me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
“Bahtiri është takuar me Rakiqin kur është bërë presion të heqë dorë nga Suhodolli dhe Kroi i Vitakut, por nuk ka pranuar”, shtoi Kurti në seancën që zgjati rreth 8 orë, e që përfundoi pa mundur që të harmonizohet një rezolutë e përbashkët.
Sot ka reaguar edhe Ramush Haradinaj i AAK-së, që më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit. Në takimin që sot ka pasur me Bahtirin, siç përcjell Veriu.info, Haradinaj tha se në Mitrovicë duhet të ulen flamujt partiakë, pasi që është qytet me interes nacional.
“Nga debati i djeshëm në Kuvend, e pashë një tendencë të pushtetit që me kthy në problem kryetarin e jo murin, kjo nuk është në rregull. Muri është një gabim nga komuna e Mitrovicës së veriut. Është e papranueshme me i fokusu energjitë negative te kryetari i Mitrovicës së jugut, sepse kjo është e padinjitetshme, sepse muri është përgjegjësi e Qeverisë”, tha Haradinaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...