Qeveria beson se buxheti 2 miliardësh përmbush nevojat e qytetarëve

24 Dhjetor 2016 - 12:10      

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se fakti se është arritur marrëveshje që për herë të parë të kemi një buxhet 2 miliardë euro, do të ketë efekte pozitive makroekonmike për vendin.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media bashkë me ministrin e Financave, Abdullah Hoti, ku tha se aprovimi i buxhetit është hapi i parë dhe me këtë buxhet Qeveria do t’i përmbushë interesat e qytetarëve.

Kryeministri Mustafa ndër të tjera tha se ky buxhet i dakorduar plotësisht ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, hap mundësinë e implementimit të programit qeverisës për vitin 2017. “Si koalicion qeverisës kemi punuar bashkërisht, kemi punuar ngushtë në këtë buxhet, kemi punuar që të përvijojmë orientimet themelore zhvillimore duke u bazuar në specifika të veçanta të këtij Buxheti. Fakti se kemi arritur marrëveshje të kemi një buxhet për herë të parë që kalon 2 miliardë euro, me një orientim zhvillimor dhe me fuqizim të investimeve kapitale ka kërkuar një kohë më të gjatë të diskutimeve, të sqarimeve dhe dilemave lidhur me mundësitë dhe kapacitetet implementuese të këtij buxheti, lidhur me fluksin e burimeve që do të vijnë në këtë buxhet, që mendoj se përfundimisht është shprehur pozitivisht dhe do të ndikojë që buxheti të jetë i qëndrueshëm dhe të ketë efekte pozitive në stabilitetin makroekonomik”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, tha po ashtu, se përgjatë dy viteve prej marrjes së detyrës në vitin 2014, Qeveria ka rritur buxhetin për 400 milionë euro dhe se këto të hyra nuk janë rritur duke ngritur tatimet dhe taksat, por duke i ulur dhe duke i përshtatur ato me nevojat e bizneseve dhe me nevojat e qytetarëve.
“Ky buxhet e orienton jo vetëm mënyrën e shpenzimit të parasë publike, por edhe mënyrën e të menduarit ekonomik afatgjatë. Me këtë buxhet ne fillojmë të krijojmë një bazament më të fortë të flukseve financiare për buxhetet e ardhshme sepse rrisim investimet kapitale 45 për qind më shumë krahasim me ato të këtij viti”, tha kryeministri duke përmendur fushat kryesore ku do të investohet si në bujqësi, në infrastrukturë, në forcimin e shtetit ligjor, në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë.

Kurse, ministri Hoti tha se buxheti është i qëndrueshëm.

“Ne kemi diskutuar për buxhet me komuna dhe për herë të parë është biseduar edhe me shoqërinë civile. Parimet kryesore janë ruajta e qëndrueshmërisë së këtij buxheti duke pas rritje kapitale. Ky buxhet ka mbështetje të plotë tek Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha ai.

Sipas Hotit, ky buxhet siguron rritje ekonomike së paku për 4 për qind.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...