Çka tha Hashim Thaçi sot para deputetëve në Kuvend [video]

23 Dhjetor 2016 - 19:10      

Hashim Thaçi, për herë të parë si president i Republikës, u është adresuar deputetëve në fjalimin vjetor.

Vetëm 51 deputetë nga 120, e dëgjuan fjalimin e presidentit, i cili në shkurtin e këtij viti u zgjodh nën gaz lotsjellës e në objekt të rrethuar me policë.

Ulëset e tri partive opozitare ishin të zbrazëta, sikurse ato të deputetëve të Listës Serbe që një ditë më herët iu kthyen punës në institucione, raporton KTV.

Pak dallim me ulëset e opozitës kishte edhe partneri i koalicionit, LDK-ja.

Të paktë ishin deputetët e Isa Mustafës që kishin marrë mundin të jenë në Kuvend për ta dëgjuar presidentin.

Nga Kuvendi i Republikës, presidenti ka dërguar mesazh se Kosova nuk do të ndahet me mure, e muri në veri nuk do të ekzistojë.

I pari i shtetit foli edhe për Gjykatën Speciale për të cilën tha se erdhi nga pafuqia në mbrojtjen e dëshmitarëve, kërcënimi e vrasja e tyre.

Nuk la pa i përmendur vizitat e tij në memorialet e serbëve të vrarë në Kosovë dhe zërat kundër vizitave të tij.

Presidenti foli edhe për demarkacionin, marrëveshje që e kishte nënshkruar vetë ai si ministër i jashtëm, duke thënë se reagimet kundër kanë dëmtuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik dhe injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve.

Shefi i shtetit foli edhe për korrupsionin si kusht tjetër për liberalizim, duke thënë se askush nuk do të jetë mbi ligjin.

Nuk e la pa folur edhe për luftën kundër terrorizmit. Tha se idetë ekstremiste nuk pranohen në shoqërinë kosovare.

Thaçi ka folur për punën si president që në marrje të mandatit.

Tha se ka ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve për të fuqizuar rendin e ligjin, prandaj edhe ka kërkuar plotësim ndryshimin e Kodit Penal.

Foli edhe për reformën zgjedhore për të cilën tha se po bëhet për t’i siguruar qytetarët se ata do të votojnë në një proces të drejtë, transparent dhe fer.


Çka tha Hashim Thaçi sot para deputetëve në... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...