UP-ja i njeh kontributin studentit që intervistoi emra të njohur të shkencave sociale

23 Dhjetor 2016 - 16:41      

Sociologu, profesori dhe shkrimtari me prejardhje amerikane, George Ritzer ishte i intervistuari i studentit Labinot Kunushevci në intervistën e botuar në revistën Global Dialogue të ISA-së. Kunushevci është student i programit master në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.

“Intervista e studentit të UP-së e publikuar në Global Dialogue të Asociacionit Ndërkombëtar Sociologjik (ISA) në fillim të këtij muaji pati një sukses të jashtëzakonshëm, duke u publikuar dhe përkthyer në 14 gjuhë të botës, në mesin e të cilave janë: gjuha angleze, franceze, spanjolle, portugeze e të tjera. Tematikë e saj janë konceptet bashkëkohore të Ritzerit që kanë të bëjnë me globalizimin, të tilla si: “McDonalizimi”, “globalizimi i hiçit”, “prosumimi” (prodhimi & konsumimi) e të tjera”, thuhet në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës.

Për faqen zyrtare të UP-së, Kunushevci tha që për këtë sukses të tij ka pasur një përkrahje të madhe nga profesorët dhe kolegët.

“Gjatë studimeve kam arritur ta shkathtësoj teknikën e intervistimit, e në veçanti intervistën me shkrim, kjo sepse gjatë studimeve në sociologji kemi lëndë që merren me hulumtim të cilat me kanë ndihmuar shumë në realizimin e intervistave të tilla” shprehet ai.

Në anën tjetër, Shemsi Krasniqi, ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në UP, e vlerëson punën e studentit të tij si të veçantë, unike dhe me vlerë të jashtëzakonshme.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e një studenti të sociologjisë, por e konsideroj sukses të madh edhe për Departamentin tonë. Nëse një student i masterit ka arritur të komunikojë me ajkën sociologjisë botërore, t'i intervistojë dhe t'i botojë idetë e tyre në katërmbëdhjetë gjuhë të botës, është sukses edhe për vetë Universitetin e Prishtinës” tha ndër të tjera Krasniqi.

Kjo nuk është intervista e parë e Kunushevcit. Sociologu i njohur Anthony Gidens ishte paraprakisht njëri ndër të intervistuarit e tij rreth një vit më parë. Mirëpo, planet e Kunushevcit nuk përfundojnë këtu. Ai është duke punuar edhe në realizimin e projekteve të radhës ku të intervistuar do të ketë sociologë, feministë e studiues të ndryshëm nga mbarë bota.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...