Për Gjykatën Themelore mbetet sfidë numri i lëndëve të pazgjidhura

22 Dhjetor 2016 - 14:57      

Viti 2016 për Gjykatën Themelore të Prishtinës ka qenë i suksesshëm pasi që është zvogëluar numri i lëndëve të vjetra për mbi 150 mijë.

Megjithatë, kjo gjykatë vazhdon të përballet me numër të madh të lëndëve të vjetërsuara për kokë gjyqtari. Po ashtu, sfidë tjetër edhe në vitin që vije mbet numri i vogël i gjyqtarëve.

Këtë raport e ka publikuar kryetari i Gjykatës themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi në një konferencë përmbledhëse për periudhën janar-nëntor 2016.

Ibrahimi ka thënë se edhe pse gjykata që e drejton vazhdon të përballet me lëndë të vjetërsuara, vetëm gjatë këtij viti këto lëndë gati janë përgjysmuar.

“Në vitin 2016 kemi hyrë me një numër shumë të madh të lëndëve të trashëguara nga vitet e kaluara dhe ne kemi vazhduar të kemi ngarkesë me lëndë qysh nga vitet e 2004, 2005, 2006, etj. kështu që ishte një bagazh i trashëguar që po bartet nga viti në vit por që në fillim dua të them se e arritura jonë kryesore në këtë vit është zvogëlimi i numrit të lëndëve të vjetra dhe marrja në shqyrtim e lëndëve të vjetra kryesisht civile ku kemi treguar një rezultat shumë të mirë... Ne në këtë periudhë kohore për të cilën po raportoj llogaritur nga çështjet me të thjeshta në gjykatë për të cilat një qytetar i vendit ka nevojë të adresohet e deri te çështjet më të rënda kishim në punë mbi 320 mijë raste, prej tyre ne kemi kryer mbi 159 mijë, prandaj numerikisht e shohim se me çka përballet regjioni i Prishtinës”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka shtuar se edhe këtë vit Gjykata Themelore është përballur me numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, për çka është detyruar të angazhoj staf me kontratë mbi vepër.

Ndërsa, në Departamentin për Krime të Rënda, Ibrahimi u shpreh se gjatë këtij viti janë përballur me një numër shumë të madh të lëndëve duke e krahasuar me numrin e lëndëve në të gjitha gjykatat.

Ndërkohë, i pyetur për shkëputjen e kontratës pas 14 viteve në krye të kësaj gjykate dhe emërimin e një gjyqtareje të re, Ibrahimi është shprehur se me mënyrën e emërimit të saj më së shumti është dëmtuar reputacioni i atyre që e kanë emëruar.

Ibrahimi është shprehur se edhe këtë vit ka mbetur sfidë përfundimi i lëndëve në departamentin administrativ ku është shprehur se nuk është arritur të përfundojmë të gjitha lëndët.

Ai është shprehur se pikërisht në këtë departament bëjnë pjesë qytetarët të cilët kanë kërkesa për vende të punës ose pensione rastet e të cilëve duhet të përfundojnë deri në 90 ditë, e të cilat siç është shprehur ai në këtë gjykatë marrin kohë me vite, andaj kryetari Ibrahimi u ka kërkuar falje publike të gjithë atyre që kanë proceduar ndonjë rast të tillë, përcjell Kosovapress.

Ibrahimi ka shtuar se edhe në divizionin penal vetëm këtë vit janë pranuar rreth 5 mijë lëndë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...