“Misioni rus” i Ibrahim Kadriut merr çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi

22 Dhjetor 2016 - 14:19      

Është mbajtur sot ceremonia tashmë tradicionale e ndarjes së çmimeve vjetore “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar dhe romanin shqiptar, të veçuar në harkun kohor tetor 2015 – tetor 2016.

Juria e përbërë nga Drenusha Zajmi – Hoxha, Kim Mehmeti, Halil Matoshi e Zenun Çelaj sivjet kanë përzgjedhur për Çmimin “Rexhai Surroi” romanin “Misioni rus” të Ibrahim Kadriut.

Çmimin atij ia ka dorëzuar doajeni i gazetarisë në Kosovë e anëtari i jurisë, Zenun Çelaj.

Me të marrë çmimin, Kadriu ka thënë se nuk po ndjehej edhe aq mirë, meqë edhe pse ka një jetë që e njeh Zenun Çelajnë nuk i tregoi se ai do të ishte fitues.

“Kjo ishte një befasi për mua. Po ta dija më parë nuk do të vija kështu me duar në xhepa. Do ta kisha shkruar një fjalë rasti, jo për vete, po për emrin që mban çmimi. Për mikun Rexhai Surroi, për Rexhain kur kishte student, për hapat e tij të parë në gazetari, për hapat e tij të parë si shkrimtar, për Rexhain ambasador, intelektual, për mikun që aq shumë kontribuoi për popullin e vet”, ka thënë Kadriu.

Ai ka thënë se çmimin që bartë emrin Rexhai Surroi do ta vendosë në këndin ku mban edhe setin e librave nga ky autor.

“Pa letër përpara mund të them se jam shumë i nderuar për këtë çmim”, ka thënë Kadriu, teksa është ndalur edhe te libri i tij.

“Titulli është ‘Misioni rus’ por më shumë ka të bëjë edhe për misionin e rusëve që mbase i kemi prezentë edhe sot. U mbetet gazetarëve të shohin se a janë në veri apo në Rahovec”, ka thënë Kadriu.

Moderatorja e kësaj ceremonie ka lexuar arsyetimin e jurisë, në emër të anëtares Drenusha Zajmi – Hoxha që mungoi në këtë ceremoni.

“Të nderuar miq e dashamirë të fjalës së shkruar, të pranishëm në këtë në këtë zhvillim të përvitshëm të shtëpisë sonë e tuaj, Koha, sot më duhet të bëj edhe punën e anëtarit të Jurisë për Çmimin ‘Rexhai Surroi’, të prezantoj vlerësimin e anëtares së vetme të tij. Anëtarja e jurisë për Çmimin ‘Rexhai Surroi’ të Grupit Koha, Drenusha Zajmi-Hoxha, e cila për arsye objektive sot nuk mund të ishte këtu, edhe ajo tashmë krijuese e vlerësuar, ka bërë një vlerësim të shkurtër për romanin e Ibrahim Kadriut, ‘Misioni rus’, që sivjet u nderua me Çmimin ‘Rexhai Surroi’, të cilin do ta lexoj në vazhdim”, është shkruar në letër.

“Do të më shihej për të madhe nëse do të provoja ta prezantoj Ibrahim Kadriun gazetar, shkrimtar prozator e poet, skenarist. Opusi i tij krijues ka shtrirje të gjerë për nga vëllimi e koha. Përthekon gati gjashtë dekada, që është i pranishëm ndër dashamirët e fjalës së shkruar. Në hapësirat tona kujtoj se mjafton ta thuash këtë emër dhe për të të flasin e të dinë të mëdhenj e të vegjël, lexuesit e gazetave e revistave, të librave që nga abetarja e deri te romanet për fëmijë e të rritur, dhe të poezive të tij që rrëfejnë shpirtin e tij të ndjeshëm për dashurinë e urrejtjen, për guximin e frikën, për heroizmat e tradhtinë, aq thjesht e aq fuqishëm”, është thënë tutje.

Në letër thuhet se “rasti, koincidenca apo dhe kronologjia e jetës, përkujtojnë atë maksimën e vjetër latine ‘Historia është mësuese e jetës’. Por a më duhet të them në fillim se kjo maksimë na ka mësuar pak ose nuk na ka mësuar fare pak. Për shkak se jemi bërë harrestarë të përditshëm e, dhe për këtë mund të mos na falin pasardhësit”.

“Por, ‘Misioni rus’ i Kadriut përveçse një art, është edhe një përjetim i shkrimtarit që na zgjon nga alergjia harrestare dhe nga amullia kohore që mjegullon kujtesën. Në këtë kujtesë dhe në trojet tona gjithmonë ka ekzistuar një mision i huaj dhe ky mision, i bartur përmes njerëzve të fshehtë, kanë vepruar kundër nesh, shqiptarëve, duke krijuar huti, vizione të rreme, gracka. Boshti i romanit përbëhet nga spiunët rusë, të shndërruar në misionarë fetarë – hoxhallarë, të cilët bëjnë punën e tyre në mesin e shqiptarëve naivë e besimtarë, të padiktuar deri në momentet kur gjithçka bie në duart e serbëve të uritur e të pamëshirë”, thuhet në letër.

Sipas saj, romani i Kadriut, “Misioni rus”, ngadhënjyes i këtij edicioni të Çmimit “Rexhai Surroi”, vjen si letërnjoftim, si dëshmi për fillimin e një shekulli plot dramë, mbi të gjitha tragjedi, që na rifreskon kujtesën për një udhëtim dramatik drejt lirisë, të mbushur me mundime, vuajtje, sakrifica dhe gracka të atyre që asnjëherë s’u ngopën me tragjeditë tona dhe rrëmbimin me luftë a dredhi të tokave që nuk ishin të tyret. Ai bën fjalë për kundërthëniet historike të asaj kohe, kur shqiptarët ishin të nëpërkëmbur deri në asgjësim. Në shënjestër është historia, keqtrajtimet dhe keqkuptimet e saj, në kohën kur shqiptarët ishin pa aleatë, të mbetur në mëshirën e fatit dhe të aspiratave të pangopshme të fqinjëve dhe aleatëve të fuqishëm të tyre.

Romani përgjithësisht merret me fatet e tyre, me raportet e politikës dhe të grackave ndërkombëtare, në vorbullën hegjemoniste të shteteve fqinje. Ai fat, në faqet e këtij romani, është aq tragjik, aq i padefinuar sa që, shikuar nga prizmi i sotëm, është e habitshme se si shqiptarët kanë mbetur gjallë, ka thënë ajo.

Zajmi – Hoxha ka thënë se “Misioni rus”, përveç që merret me realitetet kohore, shtron edhe aspekte të tjera të cilat kanë të bëjnë me portretet e figurave më eminente shqiptare të kohës, me ngjyrime reale, pavarësisht se fiksioni është mbështetja e autorit. Faktografia historike është bazament mbi të cilin vjen në shprehje përvoja e autorit në shtjellimin e kësaj gjinie letrare, duke paraqitur jetën e njerëzve të kohës me të gjitha nuancat e tragjedisë të popullit të shtyrë drejt asgjësimit. Modeli i konceptuar për shtruarjen e kësaj lënde të gjerë e bën rrugëtimin efektiv përmes pasazheve, që nuk të lënë indiferent, dhe mesazheve, të cilat na referohen edhe nga emra të njohur të historisë, përbri personazheve fiktive.

“Përgjithësisht ky roman paraqet një pasqyrë të tekstit modern të ndeshur me narracion klasik, e që e bën të afërt, të pëlqyeshëm nga ana e lexuesit. Kësaj i ndihmon edhe dinamika e tekstit me cilësinë e tij dhe afiniteti i shkrimtarit gjatë përshkrimit të ambienteve, të portreteve dhe të ngjarjeve në përballje të dy kodeve, të atij historik dhe të atij imagjinar. Aty janë edhe ngjarjet e personalitetet reale të historive që i trajton. Por, që të shijohet e të përjetohet ai duhet të lexohet. Vetëm atëherë do të kuptohet pse u shpërblye me Çmimin ‘Rexhai Surroi’”, ka shkruar në fund Zajmi - Hoxha.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...