Foto: Koha

Kosova bëhet me Kod të Drejtësisë për të Mitur

21 Dhjetor 2016 - 14:47      

Prishtinë, 21 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektkodin e Drejtësisë për të Mitur, ka miratuar dy strategji si dhe ka diskutuar për çështjet e ndotjes së mjedisit dhe të sigurimeve shëndetësore.

Me miratimin e kabinetit qeveritar të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, në mbledhjen e sotme, synohet rregullimi i procedurës penale ndaj të miturve që kryejnë vepra penale, transmeton Koha.net. Kodi përcakton që përmes shqiptimit të masave ose dënimit të të miturve që kryejnë vepra penale, të realizojë interesin në të mirë të të miturit si dhe pezullimin e procedurës ndaj të miturve atëherë kur këtë e kërkojnë arsyet dhe mos ndjekja i plotëson detyrimet e caktuara nga ana e të miturit.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Strategjinë për Rregullim më të Mirë 2017-2021, thuhet në njoftimin për medie.

Edhe Strategjia për përmirësimin e planifikimit dhe koordinimit të politikave në Kosovë, Sistemi i Planifikimit të Integruar 2017-2021, ka marrë miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme. Qeveria ka identifikuar mangësitë kryesore të ciklit të kaluar të reformës së administratës publike, në bazë të së cilës është zhvilluar një qasje e re dhe janë identifikuar prioritetet për periudhën e ardhshme afatmesme. Për këtë qëllim, është vendosur një kornizë gjithëpërfshirëse strategjike për reformën e administratës publike e cila ofron udhëzime thelbësore për përzgjedhjen e prioriteteve të reformës, duke i dhënë kështu mbështetjen dhe përkushtimin më të lartë politik.

Të dy këto strategji do të janë pjesë të reformës së administratës publike dhe kanë për synim avancimin e procesit të kësaj reforme.
Qeveria ka miratuar vendimin për tërheqjen nga procedurat e Kuvendit të Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë. Qëllimi i këtij vendimi është që të vazhdojnë konsultimet me akterët dhe harmonizimi i këtij legjislacioni me legjislacionin e BE-së dhe me Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

U.d ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, e ka informuar kabinetin qeveritar për shqetësimet e ngritura, në kohë të fundit, për nivelin e ndotjes së ambientit dhe të ajrit në Kosovë. Ai ka njoftuar për mobilizimin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për të bashkërenduar hapat në eliminimin e shkaqeve të nivelit të ndotjes së ajrit, për çka tashmë janë identifikuar burimet e ndotjes dhe do të përgatitet edhe plani i veprimit për masat e evitimit të ndotjes.

Kryeministri Mustafa tha se deri të premten apo brenda javës Qeveria të ketë një plan, në të cilin pastaj do të konkretizohen masat.

Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, propozoi që të bëhet një plan i veprimit i cili parasheh masat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, duke paraparë ato që ka mundësi ligjore për t’u zbatuar, përgjegjësit që duhet të jenë zbatues të këtyre masave, e nëse është nevoja edhe ndryshime ligjore dhe mbështetje buxhetore.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka informuar për përgatitjet që janë duke u zhvilluar për fillimin e grumbullimit të premiumeve për Fondin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë. Në informatë është theksuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky proces të fillojë me 1 janar, ndërsa disa nga veprimet e mbetura do të plotësohen para këtij afati.

Kryeministri Isa Mustafa tha se është themelore për Qeverinë që të ketë një përgjigje të saktë se a janë bërë të gjitha përgatitjet dhe a ka gatishmëri që ky proces të fillojë nga 1 janari i vitit 2017.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ky është ndër projektet themelore të Qeverisë, ku duhet të jenë të fokusuar të gjithë, duke kërkuar informata për punën që është bërë.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi tha se Fondi për sigurime shëndetësore është më se i domosdoshëm, por shtroi pyetjen se a do të shtohet efikasiteti i shërbimeve shëndetësore apo do të shtohet efikasiteti i barnave ndërsa shërbimet tjera shëndetësore do të jenë të njëjta.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...