Qendrat për mësim shtesë rrezikojnë të mbyllen në mungesë financimi [video]

18 Dhjetor 2016 - 22:27      

Rreth 52 fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian mbajnë çdo ditë pune orë mësimi shtesë në Qendrën për mësim shtesë në shkollën “Ibrahim Rugova” në Podujevë.

Si këta fëmijë, mësim shtesë marrin edhe fëmijët tjerë të këtij komuniteti në 15 komuna të Kosovës, raporton KTV.

Për prindërit, funksionimi i këtyre qendrave është tejet i rëndësishëm, pasi siç thonë ata, po i shtyjnë fëmijët e tyre drejt arsimimit.

Por këto qendra janë në rrezik të mbyllen, në mungesë financimi.

Udhëheqësit e organizatës “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianeve” thonë se nisma e Ministrisë së Arsimit për mbështetjen e këtyre qendrave është ndërprerë me arsyetimin se nuk janë të nevojshme.

Organizatat tjera që merren me zhvillimin dhe arsimimin e këtij komuniteti thonë se
veprimtaria e tyre rrezikohet për shkak të financave dhe se MASHT-i nuk po i kushton rëndësi këtij komuniteti.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit deklaron se nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare nga donatorët e përfshirë në këtë proces për mënyrën, punën dhe angazhimet që ofrohen në këto qendra.

“Pas miratimit të Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017/2021, MASHT-i fillimisht do të bëjë një analizë lidhur me nevojën për punën në këto qendra, se si funksionojnë dhe shërbimet që ofrojnë. Dhe kjo do të bëhet në kuadër të shkollave aty ku ka nevojë dhe kërkesa për të ndihmuar dhe mbështetur fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë si pjesë e mësimit plotësues në të gjitha lëndët, për fëmijët që kanë ngecje në mësimnxënie. Pas analizës dhe hulumtimeve, do të vlerësohet nevoja për hartimin ose jo të Udhëzimit Administrativ për këto qendra mësimore me kritere dhe kushte të përcaktuara apo do të punohet vetëm në harmonizimin e programeve sipas nevojës”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Në Kosovë, aktualisht janë më shumë se 40 qendra arsimore që funksionojnë në mbështetje të këtyre komuniteteve, të cilat menaxhohen nga OJQ-të e ndryshme dhe mbështeten nga donatorë të ndryshëm.


Qendrat për mësim shtesë rrezikojnë të mbyllen... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...