Foto: Koha / ilustrim

Hoxhaj: Shqiptarët të dalin me platformë të përbashkët në Maqedoni

17 Dhjetor 2016 - 17:31      

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një prononcim për Televizionin Art në Maqedoni, ka përshëndetur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Maqedoni duke uruar që partitë politike shqiptare të ndërtojnë një platformë të përbashkët për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.

Duke vlerësuar pozitivisht marrëdhëniet dypalëshe, Hoxhaj tha se sa i takon numrit të deputetëve të shqiptarëve, është shumë e rëndësishme që ata të përdoren për formimin e një qeverie funksionale e cila do të jetë në interes edhe të qytetarëve shqiptarë.

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ka shprehur shpresën se mandatet e fituara nga partitë politike shqiptare do të jenë në të mirën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë këtu dhe numrat të mos shihen vetëm si statistikë.

‘Mbajtja e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike në Maqedoni, ka qenë një lajm i mirë për këtë vend, por edhe për gjitha vendet e rajonit dhe për pikëpamjen tonë, shqiptarët e Maqedonisë kanë treguar një pjekuri politike. Kam pa që ka debate të ndryshme. Sa i takon numrit të deputetëve të shqiptarëve në Maqedoni, mendimi jonë është se politika nuk duhet të shihet çdo herë si statistikë, por është shumë më rëndësi se si këta deputetë të përdoren për formimin e një qeverie funksionale e cila është në interes edhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj po ashtu u shpreh se mbështetjen e Prishtinës zyrtare dhe të popullit të Kosovës e ka çdo parti politike shqiptare e përfaqësuar në parlament dhe shqiptarët duhet të dalin me një platformë të përbashkët.

“Interesi bazik që ndjek Republika e Kosovës në raport me Maqedoninë, përveç parametrave rajonal që kanë të bëjnë me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në këtë vend dhe në Ballkanin Perëndimor, ka të bëj edhe me interesat themelore për popullatën shqiptare e cila jeton në Maqedoni. Për ne çdo parti politike shqiptare në parlamentin maqedonas është partner i Kosovës që ka mbështetje të shtetit të Kosovës dhe të shoqërisë kosovare. Mirëpo ajo e cila do të duhej të bashkojë faktorin shqiptar atje është se si të gjitha partitë politike ta kenë një platformë, e cila platformë politike, do t’i lëvizë ato që ta adresojnë problemin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e shtetit maqedonas, se si të ketë një shpërndarje më të mirë të buxhetit në nivel lokal dhe në nivel qendror dhe se si të ketë përfaqësim më të mirë të shqiptarëve që jetojnë atje në administratën publike”, ka thënë ai.
Hoxhaj, duke folur për perspektivën e marrëdhënieve Maqedoni-Kosovë, pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tha për TV Art se ato janë të shkëlqyeshme në të gjitha planet. Rrjedhimisht, marrëdhëniet mes dy fqinjëve, Maqedonisë dhe Kosovës, janë përshkuar nga lëvizje pozitive.

Qarkullimi i qytetarëve të të dyja vendeve prej para disa muajsh, si dhe me vendet fqinje, bëhet vetëm me letërnjoftime, ndërkohë që Maqedonia ka mbështetur ndër të tjera aderimin e shtetit më të ri të kontinentit në organizmat ndërkombëtarë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...