Vetëvendosje: Pushteti nuk e do as të drejtën e as të vërtetën për Astritin

16 Dhjetor 2016 - 20:22      

Të gjeturat nga mjeko-ligjorët Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, sipas një komunikate të Vetëvendosjes, hedhin poshtë raportin e mjeko-ligjorëve të caktuar nga institucionet shtetërore, “i cili raport nuk shpjegonte lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara ‘hezituese’)”.

Vetëvendosje më tej thotë se ky raport nga mjekët e pavarur ligjorë demantojnë konstatimet e Prokurorisë.

“Ky raport i detajizuar nga Dr. Ymaj dhe Dr. Latifaj demanton shumë konstatime nga organet e hetuesisë dhe prokuroria, të cilat me nguti, pas shumë deklaratave kontradiktore, vdekjen e Astritit u përpoqën ta paraqesin si ‘vetëvrasje’. Dhe për më keq, Kryeprokurori Sylë Hoxha, menjëherë pas publikimit të këtij raporti deklaron se këtë raport të ekspertëve ligjorë të pavarur nuk do ta marrin parasysh”, thuhet nga Vetëvendosje.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e drejtësisë po pengojnë zbardhjen e rastit Dehari.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme që institucionet e drejtësisë të pengojnë zbardhjen e vdekjes të një qytetari në një institucion të sigurisë. Këto institucione, të cilat që nga 5 nëntori nxorën vetëm deklarata kontradiktore dhe një raport jokredibil të autopsisë, të shpërfillin raportin e publikuar nga mjeko-ligjorët e pavarur që është i bazuar në fakte dhe dëshmi, përveç se në autopsinë e trupit të pajetë të Astritit”, vazhdon më tej Vetëvendosje.

Raporti i mjekëve të pavarur, sipas Vetëvendosjes tregon të vërtetën dhe prokuroria po e refuzon për këtë çështje këtë raport.

“Ky raport dallon nga ai zyrtar edhe në shumësinë e fakteve që sjellë, edhe me konsistencën ligjore që e ngërthen në vete. Dhe fakti që prokuroria po refuzon ta përdorë këtë raport tregon se ajo nuk e do as të vërtetën e as drejtësinë për Astritin. Tregon se prokuroria ka përgjigje negative për kërkesën e familjes, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarëve të shumtë për hetim të pavarur”, thuhet nga Vetëvendosje.

Ata kanë ripotencuar se qëndrojnë prapa kërkesës për hetim të pavarur dhe kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të rastit Dehari.

“Prandaj, ne qëndrojmë prapa kërkesës për hetim të pavarur, dhe nuk do të ndalemi së kërkuari zbardhjen e tij. Kërkojmë sa më shpejtë zbardhjen e këtij rastit. Shteti i kapur nga klani ‘Pronto’ prodhon kryeprokurorë e prokurorë si Sylë Hoxha e Metush Biraj, të cilët nuk e kanë synim shtetin e së drejtës. Drejtësia mundësohet vetëm me çlirimin e institucioneve nga ky grupim kriminal”, përfundon Vetëvendosje.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...