Atomistja Doruntina Sylejmani pranohet në Princeton University

16 Dhjetor 2016 - 13:57      

Atomistja Doruntina Sylejmani është pranuar në studime në Princeton University të SHBA-së, duke u bërë kështu ndër shqiptaret e para që ka arritur të regjistrohet në këtë universitet prestigjioz, njoftoi Instituti ATOMI nga Prishtina.

Doruntina është e pasionuar pas matematikës dhe ka potencial e talent të madh për këtë fushë, andaj pranimi i saj në Princeton University do t’i mundësojë asaj përmbushjen e pasionit dhe realizimin e potencialit dhe talentit të saj për matematikë.

Sipas të gjitha rangimeve kredibile, Princeton University është ndër 5-10 universitetet më të mira në botë, ndërsa në fushën e matematikës është ndër universitetet lidere të botës. Princeton University është ëndrra dhe synimi i pothuajse të gjithë matematikanëve të botës! Konkurrenca për t’u regjistruar në Princeton University është globale dhe shumë e madhe, prandaj arritja e Doruntinës është e jashtëzakonshme.

Ky sukses i Doruntina Sylejmanit është rezultat i potencialit të saj të jashtëzakonshëm intelektual, punës dhe angazhimit të familjes dhe mësimdhënësve të saj, punës dhe përkushtimit të saj gjatë shkollimit, rezultateve shumë të larta të saj në testin SAT, si dhe suksesit të saj kulmor në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, të mbajtur në korrik 2016 në Hong Kong, ku ajo fitoi Medalje të Bronztë.

Duke qenë njëri ndër universitetet më të mira në botë, studimet në Princeton University janë shumë të shtrenjta dhe fatmirësisht Doruntina ka fituar bursë nga universiteti për studime atje. Mirëpo bursa nuk përfshinë disa shpenzime indirekte dhe shpenzimet e udhëtimit (rreth 5000 euro), prandaj Instituti ATOMI i bën lutje institucioneve, donatorëve, kompanive apo individëve vullnetmirë që ta përkrahin Doruntinën për sigurimin e këtyre mjeteve financiare, gjë që do t’i mundësonte asaj që t’i përkushtohet 100% studimeve të saj.

Me këtë rast Instituti ATOMI ka shprehur konsideratë të lartë për profesorët amerikanë Flavio Bartmann – këshilltar në Departamentin e Matematikës në Princeton University dhe Carol Barash – këshilltare për aplikim në universitetet amerikane që kanë bashkëpunuar me Institutin ATOMI përmes Bleron Baraliut – anëtar i Bordit Drejtues të Institutit ATOMI, të cilët e kanë iniciuar procedurën, i kanë mundësuar Doruntinës kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarët e Princeton University, i kanë ofruar rekomandime asaj dhe e kanë ndihmuar atë gjatë gjithë procesit të aplikimit.

"Pa këtë përkrahje Doruntina do të rrezikonte të mbetej veç një studente e zakonshme në Kosovë, në ndërkohë që ajo ka dëshmuar që mund të jetë studente e jashtëzakonshme edhe në nivel botëror, në konkurrencë me më të mirët e botës", kanë thënë nga instituti ATOMI.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...