Tahiri: Me +383 Kosova e fitoi identitetin shtetëror [video]

15 Dhjetor 2016 - 16:43      

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ia ka alokuar edhe zyrtarisht Kosovës kodin telefonik ndërkombëtar 383, e i cili nga ekspertët vendorë të telekomunikacionit është thënë të jetë vetëm kod gjeografik.

Kryeministri Mustafa është shprehur se Kosova me marrjen e këtij kodi ka shënuar një arritje të madhe, duke bërë një hap të rëndësishëm në kompletimin e elementeve të shtetësisë.

“Ndarja e kodit telefonik ndërkombëtar e forcon sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit”, ka shkruar Mustafa.

Marrjen e kodit telefonik, e ka cilësuar si një tjetër arritje historike, ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Në një konferencë për media, Tahiri së bashku me kryeshefin e ARKEP-it, Kreshnik Gashi, kanë folur në superlativ për këtë arritje.

“Me kodin telefonik, Kosova e fitoi identitetin shtetëror në fushën e telekomunikimit,” ka thënë ndër të tjera Tahiri, duke e cilësuar si të rëndësisë së veçantë edhe shuarjen e operatorëve ilegal serb.

Lidhur me afatet kohore të përcaktuara, sipas Gashit, ARKEP duhet të përgatisë strategjinë për migrim brenda 3 muajsh, por ka premtuar se një gjë e tillë do të ndodh më herët, derisa ka bërë të ditur se një nga operatorët telefonik, tashmë ka testuar thirrjet me kodin e ri.

Kujtojmë se Serbia është pajtuar që kodi telefonik +383 t’i ndahet “rajonit gjeografik të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, ndërsa pjesë e marrëveshjes është edhe që në aneks dokumentet teknike të Unionit Ndërkombëtar të Telekomit (ITU) Kosovës t’i referohen gjithnjë si “Kosovo*” dhe me fusnotën tashmë të dakorduar në kuadër të dialogut të Brukselit.

Në letrën që Qeveria serbe e ka deponuar në ITU, thuhet se “duke u mbështetur në rregullat e ITU-së, procedura për t’i ndarë një kod thirrës treshifror rajonit gjeografik të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë është përqafuar”.

Në letër, përmbajtjen e së cilës e kishte publikuar “Koha Ditore” më 13 dhjetor, Beogradi shpreh falënderimet e veta për ITU-në dhe përkrahjen që i kanë dhënë Serbisë gjatë procesit të dialogut në Bruksel, ku përfaqësuesve të Kosovës i referohet si “Institucione të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë”.


Tahiri: Me +383 Kosova e fitoi identitetin... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...