PDK akuzon Bahtirin se ka bërë marrëveshje me Rakiqin për murin

15 Dhjetor 2016 - 16:13      

“E vërteta sa e dhimbshme dhe e tmerrshme, është edhe e frikshme. Për ndërtimin e murit që simbolizon ndarjen e Mitrovicës, janë marrë vesh kryetari Agim Bahtiri dhe homologu i tij në veri, Goran Rakiq”.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega në Mitrovicë, Mehdi Haxha, sot gjatë një konference me gazetarë, me temën “Agim Bahtiri ka bërë marrëveshje me Rakiqin për ndërtimin e murit”.

“Ju kemi ftuar sot që të shpërfaqim të vërtetën skandaloze për ndërtimin e murit në veri të urës së Ibrit nga strukturat paralele serbe”, ka thënë Haxha.

Ndërkaq, nënkryetari i kësaj partie në Mitrovicë, Rrustem Musa, ka kërkuar nga organet kompetente shtetërore që kryetarit Agim Bahtiri t’i ndalohet përfaqësimi i Mitrovicës në bisedime që kanë të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës, dhe ai të japë dorëheqje sa më parë.

Sipas tij, marrëveshja për murin, si dhe tentimi i Bahtirit që me kryetarin Rakiq të bëjë pazare në shkëmbimin e territoreve me pjesën veriore të Mitrovicës, janë skandalet e radhës tepër të dëmshme, jo vetëm për qytetarët e Mitrovicës, por edhe për gjithë Kosovën.

“Duke parë dëmet e vazhdueshme që po ua shkakton qytetarëve ky person i papërgjegjshëm dhe i padijshëm, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga ky person dhe rreziqet që mund të vijnë si pasojë e veprimeve të tij, duke parë se ky person nuk është i interesuar dhe nuk ka bërë asgjë në rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore dhe kthimin e qytetarëve në pronat e tyre e as në rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, duke parë se te ky person ka humbur besimi i qytetarëve dhe i partive politike për të bashkëqeverisur dhe tani qeverisë me një pakicë politike, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që kryetarit, Agim Bahtiri t’i ndalohet përfaqësimi i Mitrovicës në bisedime që kanë të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës dhe i njëjti të jep dorëheqje sa më parë”, theksoi Musa, përcjell ksp.

Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës për durimin dhe maturinë që janë duke treguar, me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet dhe respektohet. Gjatë kësaj konference janë shfaqur video dhe audio të kryetarit Bahtiri që flet për murin dhe shkëmbimin e territorit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...