Tahiri i tregon BE-së që një kompani ruse e naftës po nis punën në veri “ilegalisht”

14 Dhjetor 2016 - 17:31      

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sipas një komunikate për medie ka bërë me dije se Ministria për Dialog ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me përpjekjet për veprimtari ilegale në Kosovë të një kompanie nga Serbia e cila merret me shitjen e derivateve të naftës dhe e cila ka përgatitur për të hapur tri pika të shitjes në Kosovë gjegjësisht në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Ajo ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Aty thuhet se Tahiri ka thënë që nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjellë naftën ruse në Kosovë.

“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin. Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha Tahiri.

“Pas marrjes së informacionit nga mediat se një kompani e Serbisë e cila bënë shitjen e derivateve të naftës është duke hapur tri pika të shitjes në komunat veriore të Kosovës me datën 6 dhjetor 2016, Ministria për Dialog ka njoftuar menjëherë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë duke kërkuar që të bëhen verifikime zyrtare të kësaj informate. Me datë 8 dhjetor 2016, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pas verifikimeve ka njoftuar zyrtarisht se pas inspektimit nga Inspektorati përkatës është konstatuar se informata është e saktë dhe se kompania e ashtuquajtur ‘Nis Petrol’ ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka vendosur për t’i hapur tri pika të shitjes pa pasur licencë përkatëse nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se kompania “Nis Petrol” është kompani aksionarësh ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...