Shënohet përparim i të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria

14 Dhjetor 2016 - 15:51      

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në vendet e privimit të lirisë, sot mbajti konferencën e rregullt - të shtatë vjetore “Të drejtat e njeriut në institucionet e shëndetit mendor dhe kujdesit social”.

Konferenca kishte për qëllim prezantimin e gjetjeve nga monitorimi i institucioneve të shëndetit mendor në Kosovë gjatë vitit 2016 dhe ofrimin e mundësisë përfaqësuesve të institucioneve relevante për të diskutuar dhe adresuar çështje me rëndësi.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Avokatit të Popullit, KMDLNJ, Zyra e BE-së, Këshilli i Evropës, Drejtorë të Institucioneve të Shëndetit mendor dhe të kujdesit social, dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Në këtë konferencë u prezantuan gjetjet kryesore nga monitorimi i institucioneve të shëndetit mendor dhe kujdesit social gjatë vitit 2016, përfshirë edhe të arriturat dhe sfidat kryesore me të cilat përballen këto institucione. QKRMT ka monitoruar këto institucione të shëndetit mendor dhe të kujdesit social: Institutin Special në Shtime; Shtëpitë në Komunitet për Persona me Aftësi të Kufizuara Mendore në Shtime, Ferizaj, Kamenicë, Vushtrri, Deçan dhe Lipjan; Shtëpinë e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara Mendore në Shtime; Qendrën për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmurave Kronik Psikiatrik në Shtime; Shtëpitë Integruese në Bashkësi Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Gjakovë; si dhe Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Arritjet kryesore:

- QKRMT vlerësoi progresin që është bërë viteve të fundit në trajtimin human ndaj personave me aftësi të kufizuara mendore.
Gjithashtu, QKRMT vlerësoi përkrahjen dhe vëmendjen që institucionet qendrore dhe lokale kanë pasur ndaj trajtimit dhe kushteve të përgjithshme të kësaj kategorie të shoqërisë.

- Kushte fizike / akomodimi. QKRMT evidentoi përparimin e përgjithshëm që është bërë në aspektin e sistemimit dhe akomodimit të personave me çrregullime mendore, falë renovimeve të vazhdueshme, ngritjes së kapaciteteve fizike – ndërtimit të shtëpive të reja me bazë në komunitet etj;

- Furnizimet, ushqimi higjiena, shtrojë e mbulojë. U theksua qëndrueshmëria në furnizimet me produkte ushqimore dhe higjienike në tërë sistemin gjatë vitit 2016, duke përfshirë këtu edhe furnizimin me medikamente për këto institucione;

Sfidat dhe mangësitë:

- Mungesa e shërbimeve profesionale përkatëse në shumicën e institucioneve; mungesa e stafit; mungesa e trajnimeve dhe zhvillimit profesional/ngritja e kapaciteteve për stafin e institucioneve etj;

- Infrastruktura Ligjore. Mungesa e zbatimit të Ligjit të Shëndetit Mendor i cili është në fuqi nga muaji dhjetor 2015 u përmend si pengesa kryesore për avancimin e shëndetit mendor dhe realizimit të dispozitave ligjore të këtij ligji i cili duhet të sigurohet përmes miratimit të akteve nënligjore. Këto akte nënligjore edhe një vit pas nxjerrjes së Ligjit për Shendetin Mendor, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për hartimin dhe miratimin e këtyre akteve.

- Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), është vlerësuar në vazhdimësi si një shembull shumë i mirë dhe i vetmi institucion i tillë në vendet e rajonit. Megjithatë, mungesa e definimit ligjor të statusit të këtij Institucioni po e sfidon herë pas herë qëllimin e Institutit i cili është administrimi me personat me çrregullime mendore të cilët janë dënuar me aktgjykim të gjykatës me masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik si dhe personat që janë në një proces hetimor dhe ndaj tyre gjykata ka kërkuar një ekzaminim psikiatrik.

- QKRMT ka vërejtur një praktikë të papranueshme në këndvështrimin e të drejtave të njeriut ku në këtë instutucion (IPFK) kohëve të fundit janë vendosur tre të mitur me çrregullime mendore në ambiente të përbashkëta me të rritur si dhe një grua shtatzënë, e cila ka qëndruar për disa muaj dhe me pas me rekomandimin e ekipit mjekësor është dërguar në QIRSKP. QKRMT ka evidentuar se një nga të miturit si dhe gruaja shtatzënë nuk ishin kryerës të veprave penale, respektivisht mbaheshin pa bazë ligjore në këtë institucion.

- Përfaqësues të Institutit Special në Shtime si dhe Qendrës Integruese për Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime (QIRSKP) ngritën shqetësimin e pranisë së qenve endacakë nëpër ambiente e këtyre dy institucioneve. Si pasojë rezidentët e vendosur aty shpesh janë trazuar nga qentë endacakë dhe ka pasur një numër të konsiderueshëm të lëndimeve të rezidentëve nga ana e qenve të cilët mblidhen në numër të madh aty. Këto shqetësime u tha se janë ngritur më herët edhe tek autoritetet komunale, por ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

- QKRMT sikurse në të kaluarën edhe kësaj radhe ka potencuar ngecjet në realizimin e të drejtave ligjore për personat me aftësi të kufizuara mendore, dukë përfshirë të drejtën në trashëgimi dhe të drejtën në pension të moshës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...