Fundi i Thaçit, apo i PDSH-së

14 Dhjetor 2016 - 10:11      

Gjatë fushatës zgjedhore që lamë pas, disa liderë politikë deklaruan se po që se dalin humbës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, ata do të japin dorëheqje menjëherë pas 11 dhjetorit.

Një ndër deklaratat në fjalë, siç rikujton Zhurnali, ishte edhe ajo e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili kategorikisht tha se po që se i humb zgjedhjet e parakohshme parlamentare ai do të jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PDSH-së. Por ai menjëherë pas publikimit të rezultateve zgjedhore deklaroi se për këtë rezultat të dobët të PDSH-së do të merr përgjegjësi, por nuk potencoi dorëheqjen e tij.

Analistët politikë vlerësojnë se kryesisht në Ballkan nuk ekziston morali politik dhe përgjegjësia politike. Secili lider për disfatën që pëson fajin ia hedh tjetrit.

Politologu, Argjend Çilafi për Zhurnal thotë se është më se evidente që morali politik në Maqedoni nuk ekziston. Ai tha se fjalimi i liderit të PDSH-së menjëherë pas publikimeve të rezultateve zgjedhore duhet të përshëndetet, por pas këtij debakli që pësoi partia e tij, Çilafi thotë se PDSH-së i duhen ndryshime rrënjësore, përfshirë këtu edhe dorëheqjen e liderit Menduh Thaçi.

“Është evidente që morali politik në Maqedoni, por dhe në Ballkan, nuk ekziston. Maqedonia njeh vetëm disa raste individuale, liderë politikë të zellshëm dhe vetëkritikë. Deri sot kemi hasur në vesh të shurdhur nga shumë udhëheqës që çdoherë disfatën ia përshkruajnë subjektit tjetër partiak dhe vetë popullit. Duke mos pasur parasysh se pikërisht pazotësia e tyre /subjektit është shkak i humbjes. Është për t’u përshëndetur fjalimi "historik" i liderit të PDSH-së që publikisht pranon disfatën dhe njofton dorëheqjen. Pas debaklit total të partisë së tij është evidente se PDSH-së i duhen ndryshime, lider i ri që do të marrë timonin e partisë që ka luajtur rol konstuktiv këtyre viteve”, ka deklaruar Çilafi duke shtuar se nëse koha e Menduh Thaçit ka mbaruar, dhe nëse ky i fundit ia dëshiron jetëgjatësinë PDSH-së, atëherëë duhet të jep dorëheqje.

“Logjika e shëndoshë dhe morali personal e inponojnë që Menduh Thaçi të jep dorëheqje dhe të tërhiqet nga skena politike njëherëë e përgjithmonë me qëllim që PDSH mos ta pësojë fatin e PPD. Duke pasur parasysh rrethanat PDSH do të vazhdojë të funksionojë si parti politike, por tash duke anuar nga koalicionet me partitë e tjera shqiptare, por për z Menduh Thaçin koha ka mbaruar. Është koha për fuqi të reja, është koha për ndryshim”, ka përfunduar për Zhurnal politologu Argjend Çilafi.

Ditë më parë ish-diplomati, Alajdin Demiri, deklaroi se Menduh Thaçi tanimë është i “vdekur” politikisht , por kjo nuk do të thotë që PDSH-ja do të shuhet nga skena politike. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...