Festa e LSDM-së. Foto: Reuters

Të gjitha partitë në Maqedoni shpallin fitore, shqiptarët humbin mandate

12 Dhjetor 2016 - 00:42      

Të gjitha partitë në Maqedoni kanë shpallur fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë mbajtur të dielën atje.

Rezultatet zyrtare ende nuk janë publikuar, por në rreth 90 për qind të votave të numëruara, VMRO-DPMNE ka mbajtur primatin në taborin e partive maqedonase me 38.55 për qind të votave. Pas saj mbetet koalicioni i LSDM-së, me 36.35 për qind.

Para pak çastesh, Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shpallur fitoren e partisë së tij.

Nga ana tjetër, simpatizantë të LSDM-së kanë dalë për të festuar atë që po e konsiderojnë fitore të partisë së tyre. Atyre u është bashkuar edhe Zoran Zaev, lider i këtij koalicioni, raporton Koha.net.

Edhe në taborin shqiptar gjërat janë njësoj. Në rezultatin zyrtar të KSHZ-së prin BDI-ja e Ali Ahmetit, me 7.36 për qind. Pas kësaj partie renditet Lëvizja BESA me 4.77 për qind. E treta është Aleanca për Shqiptarët me 2.97 për qind të votave derisa PDSH-ja mbetet e katërta me 2.63 për qind (nga 87.03 për qind e votave të numëruara).

Ajo që është e sigurt është humbja e mandateve të deputetëve nga radhët e shqiptarëve. Për numrin e saktë të kësaj humbje ka shumë variante. Deri në nëntë deputetë më pak është thënë së paku jozyrtarisht se do të kenë shqiptarët nga këto zgjedhje. KSHZ-ja ende nuk ka përkthyer zyrtarisht në mandate deputetësh rezultatin e zgjedhjeve nga votat e fituara.

Ali Ahmeti ka shpallur fitoren e partisë së tij, por ka thënë se me hidhërim duhet ta paraqesë kumtin se shqiptarët janë humbës nga këto zgjedhje duke u thirrur pikërisht në humbjen e mandateve të deputetëve.

Billal Kasami nga Lëvizja Besa, po ashtu e ka shpallur fitoren e partisë së tij. Ai ka thënë se nga këto zgjedhje fitues janë shqiptarët, por humbi BDI-ja.

Edhe Menduh Thaçi i PDSH-së e “ka shpallur humbjen e BDI-së”. Në konferencën e tij për media ai ka thënë se e ka marrë si satisfaksion moral humbjen e BDI-së nga Lëvizja Besa, të cilës ka thënë se i jep përkrahjen e pakusht me deputetët e vet në Kuvendin e Maqedonisë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...