Tahiri insiston se nuk do të ketë mur në Mitrovicë

11 Dhjetor 2016 - 16:02      

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e ka cilësuar “ilegal” një ‘mur’ të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Ajo tha se “muri është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit” për lirinë e lëvizjes.

Me vendim të autoriteteve lokale të veriut të Mitrovicës, pak ditë më parë filloi ndërtimi i një muri, me një lartësi prej mbi dy metrash, duke ngjallur reagime të fuqishme dhe rritur tensionet, shkruan rel.

Ndërtimi i murit u bë në kohën kur po kryheshin punimet për revitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, pas heqjes së “Parkut të Paqes”, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, me qëllim të rikthimit të normalitetit në qytetin e ndarë të veriut të Kosovës.

“Jam deklaruar qartë se ky mur është ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. Ne, si Qeveri, po punojmë për zgjidhjen e këtij problemi dhe mur nuk do të ketë", tha ministrja Tahiri në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Por për Bashkimin Evropian, që po lehtëson bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, “muri është një shkallë që lidh unazën me zonën e këmbësorëve”. SipasBE-së “shkallët do të sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se muri megjithatë nuk do të rrënohet por ai do të ridizajnohet. Kryetari i Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, tha se muri “do të shndërrohet në teatër veror”.

“Ky nuk është mur. Ky është një mbështetës që do të ndihmojë zonën e këmbësorëve. E kam thënë edhe më herët dhe edhe në takimin e djeshëm është arritur pajtimi, e po e përsëris që kjo do të shndërrohet në një teatër veror dhe do të jetë kështu”, ka thënë Rakiq.

Megjithatë, muri sërish krijoi ndarjet, thanë qytetarët e Mitrovicës. Ndërkaq analistët ndërtimi i murit po bëhet me qëllim të “krijimit të problemeve të reja dhe ngritjes së dilemave shtesë”.

Analisti Halil Matoshi ka thënë se muri i ndërtuar në veri të Mitrovicës është bërë për të ushtruar presion të drejtpërdrejt për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

“Ky mur është një problem më shumë që i vihet përpara palës kosovare dhe e dyta është presion direkt për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë dhe si i tillë është edhe një skandal që i shfaqet edhe vetë Brukselit zyrtar. Sepse edhe zyrtarët e BE-së i gjetën të habitur. Nuk dinin se çfarë të deklaronin kur në shekullin 21, në mes të Evropës ngrihen mure të reja që ndajnë, jo vetëm popujt, por edhe qytetet”, ka vlerësuar Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Brukseli, ka shtuar Matoshi, “me tolerancën që i iu ka bërë serbëve të Kosovës, iu ka dhënë mundësinë që ata të sillen ashtu si të duan”

Ndërtimi i murit në veri të Kosovës, që më vonë u cilësua si pjesë e shtegut për këmbësorë që do të ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, bëri që partitë në opozitë në Kosovë të kërkojnë sqarime shtesë nga autoritetet e vendit që po zhvillojnë bisedimet në Bruksel.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë, së fundi, ka kërkuar interpelancë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për të dhënë sqarime, sic thuhet, për arsyet e ndërtimit të murit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...