Kosova merr pjesë në Kongresin e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Audititimit

11 Dhjetor 2016 - 13:24      

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, me bashkëpunëtorë, mori pjesë në punimet e Kongresit të 22-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ONISA).

Kongresi i 22-të i ONISA-s u mbajt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe nga data 7-11 dhjetor 2016. Tema kryesore e këtij Kongresi ishte: “Si Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit mund të kontribuojë në agjendën e OKB-së 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, qeverisje të mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit?”, transmeton Koha.net.

Kongresi mori një sërë vendimesh, miratoi plotësim-ndryshimin e një numri standardesh të auditimit, zgjodhi kryetarin dhe anëtarët e Bordit drejtues si dhe miratoi Deklaratën e Abu Dhabit.

Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani ka zhvilluar takime me drejtues të ONISA-s dhe homologë nga vende të ndryshme të botës. Me këtë rast ai takoi kryetarin e ri të Bordit drejtues të ONISA-s Dr. Harib Saeed Al Amimi, i cili është njëkohësisht edhe President i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sekretaren e përgjithshme të ONISA-s Dr. Margit Kraker, njëkohësisht edhe Presidente e Gjykatës së Auditorëve të Republikës së Austrisë, anëtarin e Bordit drejtues të ONISA-s, Krzysztof Kwiatkowski, njëkohësisht edhe President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Klaus-Heiner Lehne, ish-Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Presidentin e Gjykatës së Auditorëve të Portugalisë, Vitor Caldeira, Drejtorin e përgjithshëm të Iniciativës për Zhvillim të ONISA-s, Einar Gorrissen, Presidentin e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë László Domokos, Kryetarin e Këshillit të Lartë Shtetëror të Shqipërisë, Bujar Leskaj, Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm të Suedisë, Magnus Lindell.

Osmani, sipas komunikatës nga ky institucion, ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave specifike bilaterale me organizatat simotra si dhe për përfshirjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit në aktivitetet e ONISA-s, programet e Iniciativës për Zhvillim të ONISA-s, si dhe projektet e Gjykatës Evropiane të Auditorëve.
Kjo është hera e parë që Zyra Kombëtare e Auditimit merr pjesë në një Kongres të ONISA-s, anëtare e së cilës aspiron të bëhet në të ardhmen. ONISA është një organizatë autonome, e pavarur dhe jo-politike me status special konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqëson 194 institucione supreme të auditimit nga mbarë bota.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...