Shqipëria nisi kontingjentin tjetër ushtarak në Afganistan

10 Dhjetor 2016 - 17:20      

Forcat e Armatosura të Shqipërisë nisën në operacionin e NATO “Resolute Support Mission” në Afganistan, kontingjentin e parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë (b2k), i cili do të shërbejë në Herat, nën komandën e Forcave të Armatosura të Italisë.

Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit shqiptar ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Dedë Prenga, deputeti Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti.

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bëhet e ditur se ministrja Kodheli në fjalën e saj solli në vëmendje nisjen vetëm 5 ditë më parë të një kontingjenti të Policisë Ushtarake në Kabul të Afganistanit nën komandën turke dhe theksoi se nisja e kontingjentit të sotëm dyfishon pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Resolute Support Mission”, raporton aa.

Kodheli përmendi shtimin e pjesëmarrjes në misionet e tjera jashtë vendit dhe, nga fillimi i vitit që vjen, pjesëmarrjen në një tjetër mision në Irak. Ajo vlerësoi shtimin e pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, për të cilat tha se kanë qenë rezultat i angazhimeve që vendi ynë ka marrë si anëtar i NATO, ku siç tha ajo “Shqipëria ka një vend të respektueshëm, të njohur dhe me vlerësimet më pozitive.”

“Shqipëria mbetet shpresëplotë dhe e palëkundur të vijojë bashkëpunimin me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Një tjetër projekt i madh që jemi duke përfunduar me Forcat e Armatosura italiane, është dhurimi i armatimit model të NATO-s, që për vitin 2017, do të plotësojnë të gjitha nevojat e Forcave tona të Armatosura.” - theksoi ministrja Kodheli.

Kontingjenti i nisur sot është pjesë e kompanisë “Puma” të Forcës Tokësore dhe përbëhet nga 40 ushtarakë, mes të cilëve edhe 2 femra. Ky kontingjent do të shërbejë në Komandën e Trajnim – Këshillimit dhe Ndihmës në Herat të Afganistanit për një periudhë 6 – mujore, brenda fushës së përgjegjësisë italiane. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...