Shala: Kosova, Serbia dhe EULEX-i shkelin të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

10 Dhjetor 2016 - 14:31      

Në 10 Dhjetor kur edhe shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, shteti i Kosovës ballafaqohet me pabarazi, probleme serioze, papunësi, anfalbetizëm, goditje e madhe për rininë në sferën e punësimit, mungesë e barnave esenciale, detyrimin e fëmijëve të punojnë punë të rënda për mirëqenie familjare, mos njohja e të drejtave të pensionistëve, si dhe mospërfshirja e grave në trashëgimi.

Këto vlerësime i bëri kryetari i KMDLNJ-së, Bexhet Shala, i cili ka thënë se është turp që ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kishte falur vetëm tre të dënuar prej 700 kërkesave nga ligji për amnisti, transmeton kosovapress.

“Në Shqipëri, ministria e Drejtësisë kërkoi ... arriti që ta bind Qeverinë se duhet t’i lirojë nga burgu 1000 të dënuar apo të burgosur, t’ia shkurtoj dënimin afër 3000 të tjerëve, që nënkupton se brenda një kohë të shkurtër në Shqipëri përfituan 4000 persona të privuar nga liria. Ndërkaq, tek ne për turp, presidentja ka fal 2-3 të dënuar prej 700 kërkesave. Dhe në këtë Ditë të Drejtave Ndërkombëtare të Njeriut ia kemi kushtuar dhe kemi kërkuar që ata të përfitojnë përmes miratimit të një ligji për amnisti, i cili një pjesë e tyre do të lironte fare nga burgjet e dënimit... Edhe buxheti i Kosovës do të lirohet nga një shumë e madhe e parave sepse është një përfitim i madh shoqëror dhe për këtë arsye ne kemi ngritur zërin”, tha Shala.

Sipas Shalës, EULEX-i, Serbia, institucionet e Kosovës, janë tri adresa të përgjegjësisë ose thënë ndryshe tri adresa të cilat shkelin të drejtat e njeriut.

“Është një problem që në Kosovë kemi tri adresa të përgjegjësisë apo tri adresa të cilat i shkelin të drejtat e njeriut janë: ndërkombëtarët apo EULEX-i, i cili përkundër që mundohet të luaj një rol anësor, është vendimmarrës në Kosovë, është Serbia e cila kontrollon veriun, pjesët apo qytetet, fshatrat ku ka shumicë serbe në Kosovë dhe i ka vendosur ligjet e saja, duke mos i respektuar ligjet e Kosovës. Janë institucionet të cilat i tregojnë muskujt mbi ne qytetarët tjerë dhe gjithë e bartin përgjegjësinë tek njëri-tjetri, nuk ka ndonjë gatishmëri apo përgjegjësi që të respektohet ligji”, tha Shala.

Sektori më i rrezikuar është ai i të punësuarve, thotë Shala. Ndërsa, në aspekte tjera të drejtat e njeriut më së lehti shkelen në grupet e margjinalizuara, si fëmijët, familjarët e të zhdukurve, personave të privuar nga liria dhe personat me orientim seksual ndryshe.

“Realisht më i rrezikuari është sektori i të punësuarve privat sepse nuk ka mundësi të mbikëqyrjes aty, nuk ka kontrolle dhe mungojnë bazat e sanksionimit ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut...Të drejtat e njeriut shkelen kryesisht apo ekskluzivisht më së lehti grupet e margjinalizuara, siç janë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë të cilat nuk kanë të drejtën për trashëgimi, personat e privuar nga liria, familjarët e të zhdukurve, familjarët e të zhvendosurve. Këta që kanë një orientim seksual ndryshe... edhe pakicat janë grupet të cilat më së lehti ju shkelën të drejtat e tyre”, tha Shala.

KMDLNJ raportoi se një pjesë e kosovarëve jetojnë në kushte të mira, kurse, pjesa dërrmuese sipas tyre e kanë standardin jetësor vetëm për mbijetese.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...