Vetëvendosje: Qeveria e solli betonimin e ndarjes së Mitrovicës

9 Dhjetor 2016 - 15:02      

“Premtimet nga Qeveria e Kosovës që përmes negociatave do të ndryshohet situata në veriun e Mitrovicës, rezultuan me murin që po ndan qytetin. Nga negociatat e Brukselit as nuk u bë shtrirja e sovranitetit dhe bashkimi i Mitrovicës, e as nuk pati avancim në integrimet europiane”, tha Glauk Konjufca i Vetëvendosjes në një konferencë për medie, ku u lajmërua edhe interpelanca e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Konjufca përmendi ndërhyrjen e 25 korrikut të vitit 2011 të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai tha se Vetëvendosje në atë kohë pati deklaruar në Kuvend se ajo ndërhyrje e orkestruar nga kryeministri i atëhershëm Thaçi po bëhej ose për shtrirjen e njëmendtë të sovranitetit ose për ta bërë çështjen e Mitrovicës temë të negociatave. E që në fund, sipas tij, doli të jetë e vërtetë e dyta.

"Para 5 viteve na thonin se me dialog do shpërbeheshin strukturat paralele, por po del se qëllimi kryesor paska qenë që veriu të vendoset në tavolinën e negociatave në mënyrë që Serbia t'i realizonte aspiratat e saja, që përfundimisht ta krijonte shtetin e organizuar brenda Kosovës, 'Zajednicën, e cila ngjalli shumë reagim në mesin e qytetarëve'", theksoi Konjufca.

Tutje ai shtoi se Vuçiqi me trysni përmes barrikadave të ndërtuara në veri, ka dashur që ta realizojë qëllimin e vet, për ta kontrolluar shtetin e Kosovës, dhe ia ka arritur sepse Qeveria jonë ka pranuar ta nënshkruajë marrëveshjen e dëmshme për 'Zajednicë'. Si dhe kujtoi premtimin nga Edita Tahiri që me këto negociata do të hapet ura, e që në fakt tani po ndërtohet muri që ndërpret qarkullimin mes dy pjesëve të qytetit.

"Situata në veri është kështu: në njërën anë kemi Goran Rakiqin me mbështetje nga Serbia i cili po e kolonizon atë pjesë te qyteti duke sjellë banorë të cilët as që kanë jetuar në veri. E në anën tjetër kemi mbi 12.000 shqiptarë të dëbuar në vitin 2000 të cilët tani jetojnë si refugjatë brenda vendit të tyre. Pra, kjo Qeveri tash e 17 vite nuk ka plan për këta qytetarë dhe pse kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre, e strukturat paralele paligjshëm po e kolonizojnë veriun e Mitrovicës”, tha veç tjerash Konjufca

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur interpelancë për situatën atje duke iu drejtuar drejtpërdrejtë Isa Mustafës, i cili së bashku me Edita Tahirin dhe Hashim Thaçin janë përgjegjësit kryesorë për gjitha dëmet e sjellë nga dialogu me Serbinë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...