Aleanca synon një Shkup që nuk do të jetë kryeqytet i fatkeqësive shqiptare

9 Dhjetor 2016 - 12:35      

Shkup, 9 dhjetor - Aleanca për Shqiptarët prezantoi sot platformën e saj në Shkup. Ishin të pranishëm liderët e sja, Vesel Memedi, Ziadin Sela, dhe Gëzim Ostreni, si dhe të gjithë kandidatët e mundshëm për deputetë që vijnë nga ky rajon. Në tubim liderët e Aleancës folën për platformën politike dhe ekonomike, si dhe situatën aktuale politike në vend.

Njëri nga liderët e Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi, theksoi se Shkupi ka përjetuar vuajtje dhe fatkeqësi të rënda në të kaluarën, sepse ka qenë stacioni i parafundit i shpërnguljes së shqiptarëve për në shkretëtirat e Anadollit. Ky qytet është dëshmitar i kolonave të gjata të muhaxhirëve shqiptarë që u përzunë nga trojet dhe shtëpitë e tyre, nga Presheva, Medvegja, Kosova, Sanxhaku, Çamëria, dhe nga të gjitha vendbanimet shqiptare të Maqedonisë, nga klika e Rankoviqëve dhe Çubriloviqëve. Pleqtë e Shkupit e mbajnë mend mirë këtë lumë të madh të familjeve të tëra shqiptare që pritnin në stacionin e vjetër hekurudhorë të Shkupit. Shkupi gjithashtu ka qenë dëshmitarë i koncentrimit të madh të shërbetorëve të regjimit të Mbretërisë Jugosllave dhe sistemit komunist që kanë propaganduar me të madhe për përhapjen e analfabetizmit brenda popullatës shqiptare.

Nëse kësaj fatkeqësie ia shtojmë edhe padrejtësitë që i janë bërë Shkupit nga politikanë të ndryshëm shqiptarë, të cilët forcën politike kombëtare nuk e kanë koncentruar në Shkup, si patriotët e mëhershëm, dhe kështu e kanë prishur ekuilibrin e forcës kombëtare, si dhe faktin se shumë politikanë shqiptarë kurdo që e kanë humbur besimin në vendet e tyre dilnin për deputetë në Shkup, atëherë mund të kuptojmë qartë për padrejtësitë e mëdha që i janë bërë Shkupit. Në gjithë këtë fatkeqësi, Shkupi ka pasur burra që kanë qenë të vyeshëm për kombin dhe fenë, edhe pse i kanë lënë në harresë, si për shembull Atulla efendi Hoxha, i cili që në atë kohë ka theksuar se kush lëshon vatrat shekullore dhe niset për Anadoll nuk është mysliman. Këto fjalë janë më të mëdha se gjitha tubimet elektorale së bashku.

Aleanca për Shqiptarët është organizim i duhur që jep mesazhe të duhura në momentin e duhur. Aktivizimi i elementit të pastër kombëtar në Shkup do t’ua japë grushtin e fundit tradhtarëve të kombit dhe manipulatorëve të fesë, dhe do të rrumbullakojë fitoren kombëtare të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Aleanca për shqiptarët ka dalë në skenë për të zbardhur gjithë të vërtetën mbi të kaluarën e figurave të ndryshme të Shkupit, dhe të gjithë vendeve tjera shqiptare, dhe njëherë e përgjithmonë ta bëjë Shkupin sërish qendër të politikbërjes shqiptare në Maqedoni, theksoi në mes tjerrash njëri nga liderët e Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe bartësit e listave për deputet të Aleancës për Shqiptarët dhe theksuan se janë rreshtuar pas kësaj familjeje sepse kjo përbëhet prej tri subjekteve politike, diçka që nuk ka ndodhur për 25 vite pluralizëm. Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme për t'u ballafaquar me sfidat e kohës.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...